U akuzua për tolerim, përgjigjet Apolonia. Trajneri Stojku: Keqardhje për Tomorin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 23, 2019 | 20:03

U akuzua për tolerim, përgjigjet Apolonia. Trajneri Stojku: Keqardhje për Tomorin

Apolonia ka arritur një fitore të thellë në transfertë kundër Tomorit të Beratit kësaj jave. Shifrat 4-1 ndoshta as vetë fierakët nuk i patën menduar para takimit, por fusha e lojës ka folur vetëm për ta, që mund të kishin fituar edhe më thellë.

apolonia 2

Ka qenë një fitore e merituar e Apolonisë dhe një tjetër dëshmi se kjo skuadër nuk luan për llogari të askujt, por i shërben veç të sotmes dhe avenirit të saj. Në këto dy faza, Apolonia ka fituar me të tria ekipet që luftojnë për mbijetesë: 4-1 me Elbasanin e Tomorin dhe 1-0 me Turbinën – dëshmi të qarta të luftës pa kompromis të fierakëve. Por, veç të tjerash, kjo fitore “e pamëshirshme” e Apolonisë në Berat, në një moment kaq delikat për Tomorin, duket se ka qenë dhe një akumulim zemërate pas ngjarjeve të fazës së dytë mes këtyre ekipeve, ku Disiplina i dha fitoren 3-0 skuadrës bardhejeshile për incidentet e ndodhura.

Dhe pas këtij vendimi, beratasit “u turrën” me deklarime të ashpra kundër fierakëve, a thua se ua kishin fajin këta të fundit që kërkuan dhe morën të drejtën e tyre. Gjithsesi, Stojku, “arkitekti” i Apolonisë së tanishme, nuk e sheh aspak si “hakmarrje”, pasi kurrë nuk ka qenë në mendësinë e tij e shkuara, por veç e tashmja dhe e ardhmja e skuadrës së tij.

STOJKU – “Ne treguam vlerat tona, si në çdo ndeshje dhe e merituam fitoren, pasi e kemi dominuar kundërshtarin plotësisht dhe në çdo drejtim gjatë gjithë ndeshjes, – thotë trajneri i Apolonisë. – Për Tomorin më vjen keq, sinqerisht e them, por ne luajmë vetëm për vete”. Lidhur me deklarimet e trajnerit Dule të Tomorit pas humbjes, ku deklaroi: “Mos u çudisni nëse Elbasani do të fitojë edhe me Apoloninë”, kryepankina fierake nuk do të bëjë replikë individuale, por një gjykim më të gjerë.

“Nuk replikoj me askënd, por po ju them që në futboll nuk ka parashikime taksative, përndryshe kot që do të zhvilloheshin kampionatet. Në një ndeshje janë të mundshme të tria rezultatet dhe asnjë skuadër nuk është e pathyeshme, as Apolonia, pasi ndeshja ndeshjes nuk i ngjan. Le të thotë ndokush: kjo skuadër, Apolonia, humbi ‘enkas’ me Orikumin në ndeshjen përcaktuese për të qenë në pesëshen e parë? E solla si shembull, pa e shkuara mbetet e shkuar. Për ta mbyllur, po ju them se si klub e si skuadër nuk na interesojnë fare aludimet e të tjerëve. Për interes të opinionit publik dhe për sportdashësit tanë, e ripërsërisim me forcë dhe me bindje për të disatën herë: do të luajmë vetëm për vete, sikurse gjer tani!” thotë për “Panorama Sport” trajneri i Apolonisë, Gentian Stojku.

STATISTIKAT – 4 fitore në po kaq ndeshje që Stojku ka drejtuar Apoloninë e këtij sezoni; 13 gola të shënuar në 4 ndeshje (3.25 mesatarja), po aq sa kjo skuadër pati shënuar në 19 javë të mëparshme të po këtij kampionati (0.68 gola/ ndeshje). Apolonia vazhdon të jetë fituese morale e korrektësisë dhe ndershmërisë sportive, por dy fazat e para kanë dëshmuar brishtësinë e kësaj skuadre, që nuk ka pasur “këllqe dhe shpatulla” për të qenë pretendente. Ndaj Stojku nuk “fluturon” nisur nga rezultatet e momentit, por mendon se si do të ndërtojë Apoloninë e sezonit të ardhshëm.

BUJAR RAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"