U afrua me bujë, futbollisti largohet nga Skënderbeu pas 4 ditësh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 26, 2020 | 23:48

U afrua me bujë, futbollisti largohet nga Skënderbeu pas 4 ditësh

Denis Zefi largohet nga Skënderbeu. Lojtari i cili iu bashkua ekipit para katër ditësh, nuk ka rezistuar më shumë se gjysmë jave. Burime të siguruara nga “Panorama Sport” tregojnë se cilësitë e shqiptarit që vinte nga Livorno nuk është se janë pëlqyer nga stafi teknik.

DENIS ZEFI

Ai nuk ka lënë mbresa të jashtëzakonshme, ndaj edhe i është komunikuar që nuk mund t’i besohej një vend i sigurt në formacion me këtë performancë. I ndikuar nga kjo, 19-vjeçari vendosi të largohet. Lojtari ka kërkuar largimin dhe rikthimin në Itali, duke mos dhënë shenja hatërmbetjeje. Ai ka theksuar se nuk ka mundur të përshtatet dot me ambientin bardhekuq dhe se është e vështirë përshtatja larg familjes.

Këto kanë qenë arsyet që kanë sjellë ikjen e sulmuesit nga korçarët. Për 19-vjeçarin u bisedua për një mundësi bashkëpronësie mes Livornos dhe Skënderbeut në rast transferimi, pasi edhe klubi italian besonte në cilësitë e lojtarit. Por duket se kjo bashkëjetesë nuk funksionoi më shumë se kaq.

ZEFI 1

TESTI – Fazës së provave po i vjen fundi te bardhekuqtë. Ekipi duhet të riformatohet sa më shpejt dhe të krijojë një bazë për sezonin e ri derisa edhe kampionati po afron. Pas shumë afrimesh dhe vëzhgimesh, është radha e Julian Ahmatajt të bëjë përzgjedhjen përfundimtare. Ka qene vetë presidenti Ardjan Takaj që i ka kërkuar trajnerit që të bëjë gati listën e lojtarëve që do të federohen për sezonin 2020-2021.

Tekniku mund të shfrytëzojë miqësoren e programuar sot kundër Apolonisë për të zgjedhur 25-shen që do të jenë pjesë e organikës gjatë këtij edicioni. Ky do të jetë testi i së vërtetës për disa futbollistë që janë ende në provë te Skënderbeu dhe pretendojnë të bindin stafin teknik.

Është e qartë se një pjesë e mirë e tyre tashmë kanë siguruar kontratën e re me korçarët, duke përfshirë edhe aziatikun Djurajdin (që erdhi i afirmuar, pasi kreu përgatitjet te Partizani). Të gjithë të tjerët duket se janë ende në “sitë” dhe Ahmataj duhet të zgjedhë këtë fundjavë se kujt mund t’ia besojë një fanellë të Skënderbeut.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"