Turtulli: Qëndrova se kemi detyrim të ngjisim Tiranën, duam edhe dy trofe pas Superkupës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 20, 2017 | 18:55

Turtulli: Qëndrova se kemi detyrim të ngjisim Tiranën, duam edhe dy trofe pas Superkupës

Marvin Turtulli nuk e diskuton ngjitjen në elitë. Qendërmbrojtësi e pranon që rrugëtimi nuk do të jetë i lehtë, megjithatë thekson se skuadra e tij do të “marshojë” drejt Kategorisë Superiore me fitoret e njëpasnjëshme. Në intervistën e dhënë dje për mediat, 22-vjeçari rrëfeu se trajneri i ka kërkuar informacione për Kategorinë e Parë, ku ai ka luajtur për 3 vite me Dinamon.

turtulli pejic

Marvin, këtë javë shkoni në Pogradec, çfarë prisni nga transferta e parë sezonale?

Për ne është ndeshja e radhës dhe si të tillë po e përgatisim. Ne jemi Tirona, ndaj në fushë zbresim vetëm për të marrë trepikëshin. Asnjë rezultat tjetër nuk hyn në planet tona.

Ju jeni ndër ata lojtarë që e njihni këtë kategori, mendoni që Tirana do ta ketë të lehtë të sigurojë misionin?

E lehtë jo, por as e parealizueshme. Pastaj qëllimi ynë është i prerë. Ne do të bëjmë ndeshjet tona. Vështirësi ka, pasi edhe me Ilirinë e hasëm një gjë të tillë, është e vështirë që të luash përballë 10 mbrojtësve.

A ju ka kërkuar informacion Ze Maria për këtë kategori?

Normal, më ka kërkuar informacione, pasi unë kam luajtur rreth 3 vite në këtë kategori, të cilën e njoh mirë.

Dhe cilat janë pengesat që do të hasë Tirana, një ekip që, për herë të parë, luan në inferiore?

Ajo që përmenda më lart. Nuk të jepet mundësia për të shprehur aftësitë e tua në futboll, pasi has rezistencën e ekipeve që mbyllen mbrapa. Dhe vështirësia për t’u infiltruar është e madhe. Ne do të bëjmë maksimumin gjithsesi.

Tifozët u rikthyen, por a ju “mpiu” disi fakti që prania e tyre në stadium ishte për protestë?

Ne respektojmë çdo veprim të tifozëve, megjithatë mbështetja e tyre do ishte një “bonus” i madh për ne. Shpresoj që në vazhdim të fitojmë edhe përkrahjen e tyre.

Turtulli është kthyer në një titullar të padiskutueshëm tashmë, si ia dolët?

Nuk është e thënë. Vendimi i mbetet trajnerit. Unë gjithnjë do jap 100%-shin tim në stërvitje dhe në fushë, për të qenë gati dhe merituar një fanellë titullari.

Fakti që Ze Maria ka qenë mbrojtës si futbollist, sa po i ndihmon lojtarët e prapavijës?

Shumë, të them të drejtën, pasi ne punojmë shumë në aspektin taktik. Ai ka luajtur në Itali sikundër dihet dhe skemat italiane për mbrojtjen janë të pakalueshme.

Pogradeci në këto vite ka treguar që është një skuadër e fortë në shtëpi?

Pa dashur që të ofendoj Pogradecin. Ne nuk do shohim aspak kë do kemi përballë, do mundohemi vetëm që të marrim pikët e plota.

Objektivi i Tiranës mbetet vetëm ngjitja?

Ai është prioriteti, por njëherësh synojmë edhe Kupën e Shqipërisë. Kishim tri objektiva, një e realizuam, tashmë na mbeten edhe dy.

Si është të veshësh fanellën e Tiranës?

Është një ndjesi e veçantë, të cilën nuk mund ta përshkruash dot me fjalë. Fakti që vjet skuadra ra, tashmë e ndiejmë si detyrim që Tiranën ta ringjisim aty ku e ka vendin. Këtë plan ka e gjithë skuadra. Ky ishte motivi që unë qëndrova.

ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"