Turpëroi Luftëtarin, presidenti i akuzuar për trukime. Ja kush është ekipi i Ventspils që ka përballë Teuta

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 19, 2019 | 22:06

Turpëroi Luftëtarin, presidenti i akuzuar për trukime. Ja kush është ekipi i Ventspils që ka përballë Teuta

Goglat në Nion të Zvicrës kanë rezer vuar për Teutën një rival që një vit më parë turpëroi Luftëtarin. Shorti për turin e parë kualifikues të Europa Ligës rezervoi përballjen me FK Ventspils.

FK-Ventspils-Sportazinas.-696x464-696x430

Sfida e parë do të luhet në Letoni më 11 korrik dhe e kthimit, shtatë ditë më vonë, më 18 korrik në “Niko Dovana”. Përballë do të jetë një nga ekipet më të suksesshme të Letonisë, e cila me këtë emër ekziston pas vitit 1997 dhe që për president ka një biznesmen rus të akuzuar në Moldavi për evazion fiskal dhe trukime ndeshjesh.

HISTORIKU – Klubi letonez i luan ndeshjet në “Ventspils Olimpiskais” në qytetin Ventspils, duke milituar në Virsliga (niveli më i lartë i futbollit në Letoni). FK Ventspils ka fituar gjashtë tituj kampionë dhe shtatë herë Kupën e Letonisë. Në vitin 2009, FK Ventspils u bë klubi i parë letonez që mori pjesë në fazat e grupeve të një kompeticioni të UEFA-s, pikërisht në Ligën e Europës, pasi eliminoi BATE Borisov. Më 17 korrik 2007, Ventspils ka bërë debutimin në Ligën e Kampionëve, ndërsa për herë të parë në Europë ka marrë pjesë përmes Kupës Intertoto në vitin 1999.

ventspils luftetari

Aktualisht, skuadra e drejtuar nga trajneri Igor Klosov, sipas “transfermarkt”, vlen rreth 3.65 milionë euro. Ndërsa Teuta vlen rreth 50 mijë euro më shumë, 3.7 milionë euro. Lojtari më i kushtueshëm i Ventspils është 28-vjeçari brazilian, Xho Santos, i cili luan në të dyja anët e mesfushës me tipare ofensive. Ai kushton 500 mijë euro. Kampionati në Letoni ka nisur në mars, me Ventspilsin në vend të pestë pas 15 javësh. Gjatë këtij sezoni, protagonist absolut te Ventspils është bërë mesfushori nigerian, Tosin Ajegun, me 7 gola. Buxheti vjetor i këtij ekipi është 2 milionë euro.

BASHKIMI I DY KLUBEVE – Ventspils u themelua në vitin 1997, me bashkimin e dy ish-klubeve FK Venta dhe FK Nafta. Në fakt, Venta ishte një nga klubet kryesore në ligën e Letonisë në vitet ‘60. Ndërsa FK Nafta u formua në vitin 1995, teksa në sezonin e parë klubi fitoi titullin në Divizionin e Dytë. Historia e Ventspils filloi në vitin 1997.

Klubi përfaqëson qytetin në bregun e lumit Venta me një popullsi prej 45 mijë banorësh. Në një periudhë relativisht të shkurtër, Ventspils është bërë një nga klubet më të forta në Letoni. Në vitin 2003 fitoi Kupën e Letonisë për herë të parë. Dominimi ka ardhur në vitet 2006, 2007, 2008.

PRESIDENTI – Një vit më parë, pas përballjeve të Ventspils me skuadrën e Luftëtarit, kryefjalë e lajmeve u bënë golat dhe mënyra naive e pësimit të tyre. Mirëpo, ndërsa në vendin tonë u bë fokus skuadra gjirokastrite, përtej Adriatikut në Francë dhe Letoni vëmendja u përqendrua te presidenti i klubit. Mediat franceze i kanë bërë jehonë dhe u morën me të kaluarën e biznesmenit rus, Adlan Shishkhanov, që u bë president i Ventspils pak vite më parë.

Pas vdekjes së ish-presidentit të ekipit letonez, Juri Bespallov, në vitin 2012, te Ventspils u afrua pikërisht rusi Shishkhanov. Sipas asaj që shkruan portali francez, “footballski.fr”, tifozët në Letoni u shqetësuan menjëherë, pasi e kaluara e biznesmenit ishte e errët. Ai kishte braktisur klubin moldav të Dacia Kishinjevit, ndërsa akuzohej për trukime ndeshjesh dhe pastrim parash. Shishkhanov është nipi i bilionerit rus, Mikhail Gutseriev, i cili renditet në vend të 24-t në listën e njerëzve më të pasur në Rusi, sipas prestigjiozes “Forbes”.

ZAMIR QYPI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"