Turpërim 113 pikësh, femrat e Shqipërisë janë një dramë. Disfata më e thellë në histori

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 15, 2018 | 12:24

Turpërim 113 pikësh, femrat e Shqipërisë janë një dramë. Disfata më e thellë në histori

Është e vërtetë që ndonjëherë mjafton edhe vetëm që të marrë pjesë, pasi edhe eksperiencat ndihmojnë që të përmirësohesh, por Kombëtarja e basketbollit të femrave, në eliminatoret e Europianit 2019, po vazhdojnë të dëmtohen rëndë. Edhe pse një grup i përbërë me shumë vajza të reja dhe fitorja e parë as që duket në horizont, fakt është që mesatarja e pikëve të regjistruara në katër daljet e deritanishme jo vetëm lë shumë për të dëshiruar, por akoma më keq… Kundërshtarët përballë skuadrës sonë duket sikur luajnë vetëm, sepse ndryshe nuk shpjegohen këto dështime katastrofike, fatkeqësisht…

shqiperi rusi basketboll

Gjithsesi, edhe dje, kombëtarja e femrave në basketboll është mundur me rezultatin e turpshëm, 148-35, nga Rusia, për eliminatoret e “Women Eurobasket 2019”, ndeshje e Grupit C dhe luajtur në Rusi. Një humbje e pritshme, por diferenca 113-pikëshe është turpëruese për basketbollistet tona. Edhe pse në sfidën e parë, përballë ruseve morëm një tjetër shuplakë të rëndë (37-122), me 85 pikë diferencë, ky ishte rekordi historik më negativ, për kombëtaren e femrave të basketbollit. Niveli kuptohet qartë që është në limitet e së keqes…

rusi shqiperi

Për shqiptaret, kjo ishte humbja e katërt në këto eliminatore, ndërsa u kanë mbetur edhe dy ndeshje të tjera për të luajtur, por nga të cilat nuk është se pritet ndonjë mrekulli. Për sa i përket kronikës së ndeshjes, nuk është se ka nevojë për shumë komente, duke parë se shifrat nënvizojnë qartë atë që ka ndodhur në parket. Një duel i dominuar dhe i fituar me meritë nga basketbollistet vendëse, që e kthyen këtë përballje në një shëtitje. Në të katërta periodat, ruset u treguan thjesht të pamëshirshme, duke dëfryer jo pak edhe publikun vendës, që i mbështeti dhe i duartrokiti.

JETON STAMOLLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"