“Turp kush shan Nojerin”, Uli Hënes rrëfen “realitetin” e hidhur: Kejn i pamundur

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 23, 2023 | 20:25

“Turp kush shan Nojerin”, Uli Hënes rrëfen “realitetin” e hidhur: Kejn i pamundur

Barazimi mbytës ndaj Lajpcigut ka ngritur edhe njëherë dilemat nëse ky Bajern është i aftë të luftojë me të gjitha forcat në fronte të ndryshëm. Uli Hënes, në rolin e Presidentit të Nderit të bavarezve, ka rrëfyer disa nga pakënaqësitë e tij me frymën e organizuar nga mediat e analistët, pa anashkaluar edhe repartin e pykës.

uli henes

DYSHIMET MBI NOJERIN – “Kam parë shumë reagime të çuditshme kohët e fundit, që lidhen me aftësitë e Nojerit në kuadrat dhe dalin në konkluzione të pavenda mbi një personazh, i cili vetëm para pak kohësh konsiderohej si më i mirë i portës, ndërsa tani e vendosin në balotazh në pozitën e titullarit te Bajerni.

Jam i bindur se ai djalosh do të kthehet më i fortë se kurrë dhe meriton respekt nga kushdo. Kapiteni ynë nuk ka nevojë për këshilltarë dhe unë nuk jam duke e bërë, por mënyra se si po trajtohet nuk është e hijshme ndaj një personazhi fenomenal në kategorinë e vet.

KEJN, MISION I PAMUNDUR – “Çdo ekip do ta dëshironte repertorin e Herrit, ndonëse shumë pak klube mund të përmbushin ambiciet e Totenhemit. Mjafton të përmendim rastin kur Siti i ofroi 140-150 milionë euro dhe ata sërish refuzuan.

Drejtuesit gjithmonë kanë monitoruar tregun pas largimit të Robertit rreth alternativës së duhur në pozitën e bomberit. Pavarësisht se ne ia kemi dalë edhe me kontingjentin ekzistues”.

PREZENCA E ÇUPO-MOTING – “Është fakt se Erik e ndihmoi Bajernit të kalonte krizën në Bundesligë dhe e meriton vazhdimin e kontratës, të paktën edhe për dy vite të tjera, edhe pse politika e klubit është vetëm një vit në lidhje me lojtarët mbi 30-vjeç.

Prova më shumë se sa e arsyeshme rreth zgjatjes së bashkëpunimit me një luftëtar si Erik, i cili nuk luan vetëm rolin e “pykës”, por edhe në duelet e mesfushës”, përfundoi Hënes.

Përgatiti: SAIMIR MBËRSI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"