Turku mori drejtimin e Moldavisë, flet Lici: Firat nuk ikën nga Vllaznia

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 31, 2019 | 21:10

Turku mori drejtimin e Moldavisë, flet Lici: Firat nuk ikën nga Vllaznia

Vllaznia nuk heq dorë nga Engin Firat. Edhe pse turku u prezantua si trajner i kombëtares së Moldavisë, ai do ta vijojë bashkëpunimin me klubin.

suad lici

Është vetë Suad Lici që qartëson pozicionin e ish-drejtorit sportiv në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”. Administratori ngre në “qiell” punën e bërë prej ish-zyrtarit të klubit dhe nuk e quan aspak të bujshëm këtë transferim. Ai kujton që me CVnë që disponon turku, mund të merrte çdo lloj skuadre.

“Engin Firat do të vazhdojë që të jetë pjesë e Vllaznisë. Unë nuk do ta quaja aspak habi dhe aq më pak të bujshëm transferimin e tij në stolin e një kombëtareje, siç është ajo e Moldavisë. Firat ka qenë trajner i Fenerbahçes dhe ka dhënë mjaft kontribute të mëdha, ndaj unë nuk çuditem. Unë di të them që Firat do të jetë sërish pjesë e projekteve të klubit të futbollit Vllaznia”, u shpreh Lici. Të njëjtin plan duket se ka edhe turku, të paktën këtë mësohet t’u ketë thënë drejtuesve shkodranë. Marrëveshja që ai ka bërë me moldavët është e qartë. Fillimisht do ta drejtojë ekipin për dy ndeshjet e mbetura të eliminatoreve dhe më pas do të ulet me përfaqësuesit e federatës për të folur për kontratën dhe vazhdimësinë.

firat

STADIUMI – Çështja e drejtorit sportiv nuk është prioritet në Shkodër, të paktën jo tani. Drejtuesit e klubit Vllaznia e kanë mendjen te ndeshja e javës së 11- të dhe mbi të gjitha stadiumi ku do të presin Bylisin. Kuqeblutë duan që të luajnë në “Loro Boriçi”, ndaj po negociojnë me FSHF-në që të shtyhet ky duel. Është vetë Suad Lici që sqaron gjithçka për këtë histori.

“Përmes kryetares së bashkisë, kemi bërë kërkesë në FSHF që ta luajmë ndeshjen me Bylisin në stadiumin tonë. Bashkangjitur letrës, kemi dërguar edhe foto që pasqyrojnë gjendjen e fushës. Duam që të luajmë në shtëpi dhe në ‘Loro Boriçi’. Ndaj, edhe kemi parashtruar faktet e nevojshme në federatë, që tapeti është i gatshëm për ta përballuar këtë takim. Nëse përgjigjja e organeve kompetente do të jetë pozitive, atëherë presin shtyrjen e kësaj përballjeje në një datë tjetër. Gjithsesi, jemi në pritje të një vendimi përfundimtar nga federata”, ka përfunduar administratori, duke konfirmuar edhe kërkesën për shtyrjen e kësaj sfide. Nëse do t’u refuzohet, atëherë ata kanë bërë edhe një kërkesë alternative, që do të thotë se kjo ndeshje të zhvillohet në fushën sportive “Reshit Rusi”. Nëse edhe kjo pistë bie (pasi ky impiant nuk plotëson parametrat e licencimit), opsionet e mbetura janë stadiumet e Pukës, Lezhës apo Laçit.

STËRVITJA – Vllaznia vijon përgatitjet për Bylisin. Mungesat mbeten ende një shqetësim. Zyrtarisht nuk luajnë prej pezullimit Gurishta dhe Ramadani, ndërsa pezull mbeten të dëmtuarit Hygor dhe Gligorov. Mirsad Jonuz shpreson që ata të rikuperohen një orë me më parë, pasi me të fushë do të ishte më i qetë. Braziliani dje është paraqitur në stërvitje, duke zhvilluar një seancë të lehtë, ndërsa maqedonasi u shfaq vetëm nga fundi i përgatitjeve.

ADMIR URUÇI 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"