Turku Ismailov del me doping, Calja fërkon duart/ Kampioni kuqezi pritet të shtojë medaljet e Europianit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 19, 2021 | 11:00

Turku Ismailov del me doping, Calja fërkon duart/ Kampioni kuqezi pritet të shtojë medaljet e Europianit

Peshëngritja vijon të mbetet një prej sporteve më të përfolura në të gjithë botën për sa u përket skandaleve të dopingut. Nëse në vitet e kaluara Shqipëria është penalizuar në shumë raste për përdorimin e substancave të ndaluara, këtë herë vendi ynë pritet të përfitojë nga shkeljet që kanë bërë të tjerët.

briken calja

Më konkretisht Briken Calja, i cili me shumë mundësi do të ngjisë shkallë në podium, si dhe do të shtojë një tjetër medalje në Kampionatin Europian që u mbajt në prill të këtij viti në Moskë. Kampioni në fuqi, turku Deniar Ismailov, rrezikon seriozisht që ta dorëzojë titullin.

Federata Turke ka njoftuar se peshëngritësi është pezulluar provizorisht për shkak se ka rezultuar pozitiv në testet antidoping. Ndonëse emri i substancës së ndaluar ende nuk është bërë i ditur, mediat në Turqi njoftojnë se mostra, e cila është analizuar dhe që ka rezultuar pozitive, ka qenë nga testet e bëra para se shtangisti të shpallej kampion i Europës në muajin prill. Turqia ka qenë kohët e fundit në qendër të skandaleve të dopingut, duke bërë që në olimpiadë të shkojë më vetëm 2 sportistë, teksa do të përfaqësohet me vetëm 1 mashkull dhe 1 femër.

Ndërkohë, për Ismailovin, i cili nuk do të merrte pjesë gjithsesi në olimpiadë për shkak të mosplotësimit të numrit të garave ndërkombëtare, kjo nuk është hera e parë që përfshihet në skandale. Në vitin 2018 gjatë Lojërave Mesdhetare në Tarrogona, shtangisti u arrestua nga policia spanjolle, pasi një turiste britanike e kishte akuzuar për ngacmim seksual. Më pas ai u lirua, pasi turistja vendosi ta tërheqë akuzën, por gjithsesi Ismailov nuk i shpëtoi dënimit nga federata e tij, pasi kishte qëndruar jashtë deri në orën 5 të mëngjesit.

Duke u rikthyer te Kampionati Europian i Moskës, tashmë Calja pritet që shtojë një tjetër medalje. Ai e kishte mbyllur konkurrimin në kategorinë 73 kg, me medalje argjendi në shtytje, në vend të katërt në shkëputje dhe një bronz në dygarësh. Me zyrtarizmin e pezullimit edhe nga Federata Botërore për turkun Ismailov, Calja do ta dërgonte në tre numrin e medaljeve, teksa do të fitonte bronz në stilin e shkëputjes.

Gjithashtu, medalja e bronzit në dygarësh do t’i shndërrohej në argjendi, ndërkohë që shtytja do t’i mbetej argjend. Një pozitiv për Briken Caljen, i cili është sportisti më premtues i ekipit kuqezi edhe për Lojërat Olimpike që do të mbahen në Tokio.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"