Turket “pushtojnë” volejbollin/ Partizani s’përmbahet në merkato, 5 goditje të rrufeshme

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 2, 2022 | 22:51

Turket “pushtojnë” volejbollin/ Partizani s’përmbahet në merkato, 5 goditje të rrufeshme

Pas një pjese të parë të sezonit disi me ulje-ngritje, Partizani në volejboll për femra është futur fuqishëm në merkato. Kampionet në fuqi të Shqipërisë kanë shpërthyer me 5 afrime të menjëhershme, duke ja ndryshuar totalisht pamjen skuadrës. Kështu të kuqet kanë nënshkruar me 4 volejbolliste turke, ndërsa kanë rikthyer në gjirin e tyre Joana Kushin, e cila i është bashkuar skuadrës pas një eksperience disamujore në Turqi.

212218_dsc_4110-e4bef2eae8d496e40f019b2ee05a0206_1920x1080

Por merkatoja e Partizanit nuk ndalet me kaq, presidenti i skuadrës, Rogert Huqi, ka bërë të ditur se do të ketë ndryshim edhe në drejtim, teksa ditën e sotme pritet të mbërrijë në Shqipëri trajneri Nejat Sançak, i cili do të jetë tekniku i ri skuadrës. Kujtojmë që Sançak i ka drejtuar të kuqet edhe para dy sezonesh në eksperiencën që Partizani pati në Ligën e Kampioneve.

LOJTARET- Tashmë dy lojtaret e para turke e kanë bërë debutimin e tyre me Partizanin. Pasuesja Asli Kocoglu dhe diagonalistja Hilal Sanli zbritën në parket që në sfidën e së hënës, aty ku Partizani përmbysi Lushnjën në çerekfinalen e Kupës së Shqipërisë. Pasi ishin mundur 3-2 në takimin e vajtjes, kryeqytetaset fituan 3- 0 ndeshjen e kthimit duke kaluar për në gjysmëfinale. Pjesë e formacionit në atë ndeshje ishte edhe Joana Kushi, një prej lojtareve më të mira shqiptare, që prej vitesh luan edhe me Kombëtaren.

Ndërkohë, në Tiranë tashmë kanë zbarkuar edhe diagonalistja tjetër, Ayse Kiliç, për të cilën bëhet fjalë për një rikthim, pasi ka luajtur për Partizanin para dy sezonesh në Ligën e Kampioneve. Ndërkohë, një tjetër volejbolliste turke e pozicionit numër 4 që tashmë i është bashkuar skuadrës është Buse Cetin.

I fundit që do të mbërrijë në Tiranë do të jetë trajneri Nejat Sançak, i cili pritet të bashkohet sot me ekipin dhe që do të kërkojë që t’i harmonizojë sa më parë me lojën e grupit të gjitha këto afrime. Kështu, Partizani u kundërpërgjigjet fuqishëm rivaleve si Skënderbeu apo Tirana, të cilat gjithashtu kanë afruar lojtare të huaja në gjirin e tyre. Pjesa e dytë e sezonit, ku dhe do të ndahen trofetë, pritet të jetë vërtetë e zjarrtë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"