Turi i Shqipërisë/ Zhupa fiton etapën e 5-të, kampion shapllet italiani Fioreli

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 25, 2019 | 20:04

Turi i Shqipërisë/ Zhupa fiton etapën e 5-të, kampion shapllet italiani Fioreli

Me etapën e pestë, Sarandë-Fier, 162.5 km është mbyllur dje Turi i 76-të Çiklistik (i treti ndërkombëtar) i Shqipërisë, ku kanë garuar rreth 60 çiklistë nga 11 ekipe të vendeve të ndryshme, si: Italia, Holanda, Belgjika, Austria, Greqia, Kroacia, Sllovenia, Maqedonia, Kosova etj.

Ciklizmi2

Shqipëria, e drejtuar nga trajneri Dashamir Rama, u përfaqësua në këtë tur me 7 çiklistë: Eugert Zhupa, Ylber Sefa, Besmir Banushi, Klidi Jaku, Olsion Velia, Bruno Kola dhe Astrit Kronaj. Etapa e fundit është fituar nga çiklisti ynë Eugert Zhupa, i cili ka lënë pas dy italianët Sartori dhe Bertone, duke e përfunduar në mënyrën më të mirë këtë event për “dyrrotakët” e Shqipërisë. Zhupa regjistroi kohën 4 orë 22 minuta e 15 sekonda.

Zhupa

Ndërkohë, ai që triumfon në Turin e 76-të të Shqipërisë është Filipo Fioreli. Italiani i skuadrës “Gragnano Sporting Club”, i cili i përshkroi 892,8 km me kohën e përgjithshme 20 orë 30 minuta 44 sekonda, duke lënë pas në vendin e dytë me një diferencë prej 7 sekondash holandezin Etien Van Empel dhe me 9 sekonda austriakun Sebastian Shonberger. Nga kuqezinjtë rezultatin më të lartë e arriti Ylber Sefa, i cili e përfundoi Rrethin Çiklistik në vendin e 10-të, me +5:14 nga kreu. Madje, Sefa arriti ta mbante fanellën e verdhë të liderit në tri garat e para.

Ciklizem

Kështu, aktiviteti më i rëndësishëm i çiklizmit në vendin tonë mbyllet me këto verdikte: Fanella e Bardhë (për të rinj) shkon për Nikolas Rinaldin, Fanella e Kuqe (malore) shkon për Sebastian Shonberger, Fanella Jeshile (fushore) dhe Fanella e Verdhë (e liderit) shkojnë për Filipo Fiorelin. Ndërsa për sa u përket skuadrave, janë italianët e “Neri Sottoli Selle KTM” ata që triumfojnë, me kohën totale 60:41:57. Shqipëria renditet e pesta me kohën 61:11:10.

Ciklizem66

EUGERT ZHUPA – Fituesi i etapës së fundit, pas përfundimit të turit deklaroi: “Jam i lumtur për këtë fitore, aq më tepër në etapën përmbyllëse. Gjithë ekipi ka pedaluar mirë, në të pesta etapat, por kemi garuar me çiklistë të fortë, fitues dhe me shumë përvojë në vendet e tyre. Në këtë këndvështrim, e them me bindje që kemi bërë një paraqitje të mire”, tha Eugert Zhupa.

Libri i arte

BUJAR RAMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"