Turi i Shqipërisë/ Italianët pushtojnë etapën e 3-të, Sefa sërish lideri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 23, 2019 | 19:38

Turi i Shqipërisë/ Italianët pushtojnë etapën e 3-të, Sefa sërish lideri

Turi i 76-të Çiklistik i Shqipërisë vijoi dje me etapën e tretë, Elbasan-Vlorë, me gjatësi 177 kilometra. Ashtu sikurse në etapën e dytë, edhe në këtë etapë ra në sy dominimi i çiklistëve italianë, të cilët “pushtuan” 7 vendet e para të renditjes. Vendi i parë shkoi për Moreno Marketin, i cili është pjesë e skuadrës “Neri Sottoli Selle Italia KTM”. Marketi e preku i pari vijën e finishit duke regjistruar kohën 4 orë 29 minuta 43 sekonda.

turi i ciklizmit

Vetëm 1 sekondë pas tij e përfundoi garën Matia Baldo i ekipit Iseo Serrature-Rime-Carnovali. Ndërsa 2 sekonda më vonë se i pari, mbërriti Simone Bevilakua, po nga skuadra “Neri Sottoli Selle Italia KTM”. Ylber Sefa, çiklisti i ekipit tonë kombëtar, e përfundoi etapën e tretë në vend të 13-të.

Ciklizmi2

Megjithatë, sportisti kuqezi vazhdon të jetë lider i Turit të 76-të, duke mbajtur bluzën e verdhë. Një paraqitje fantastike nga Sefa në këto tri garat e para, ku regjistron një rezultat të përgjithshëm prej 12 orë 34 minuta dhe 55 sekonda. Sot do të kemi etapën e katërt Vlorë-Sarandë (123 km), e cila konsiderohet si më e vështira për shkak të terrenit malor.

Ciklizmi

SKËNDER ANXHAKU

Presidenti i FSHÇ-së, Skënder Anxhaku, mjaft i kënaqur me paraqitjen e çiklistëve tanë, pas përfundimit të etapës së tretë deklaroi: “Tashmë ka kaluar 70% e Rrethit Çiklistik, ku janë zhvilluar tri etapa. Nesër është etapa e katërt që është shumë e rëndësishme. Është një kënaqësi e veçantë, jo vetëm për Federatën Shqiptare të Çiklizmit, por për të gjithë popullin shqiptar, që pas tri etapave të para, gara kryesohet nga një çiklist shqiptar.

Skender Anxhaku

Kjo është një ngjarje e madhe dhe mund të them që jam jashtëzakonisht i kënaqur me atë që po shfaq ekipi ynë kombëtar, pasi të gjithë e dimë se sa i vështirë është ky sport. Falënderoj në mënyrë të veçantë Policinë e Shtetit për masat e marra. Gara e nesërme (sotme) do të jetë vendimtare për të përcaktuar fituesin përfundimtar, për shkak se është një garë shumë e vështirë që zhvillohet në terren tërësisht malor.

Por jam i bindur se do ia dalim dhe do të marrim fitoren. Ylber Sefa është një çiklist me parametra europianë dhe nëse do të kishim edhe disa të tjerë si ai, e them me bindje se do të ishim pretendentë në evente shumë të rëndësishme ndërkombëtare”.

Turi i Shqiperise

OLSEN LLAMBRO – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"