Turi i Shqipërisë/ Etapa e 4-t e përgjakshme, triumfon italiani Fioreli

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 24, 2019 | 17:24

Turi i Shqipërisë/ Etapa e 4-t e përgjakshme, triumfon italiani Fioreli

Turi i 76-të Çiklistik i Shqipërisë vijoi dje me etapën e katërt Vlorë-Sarandë, me gjatësi 123 kilometra, e cila konsiderohet edhe si më e vështira e të gjithë turit për shkak të terrenit të fortë malor. Ai që e preu i pari vijën e finishit ishte Filipo Fioreli, ku italiani i skuadrës “Gragnano Sporting Club” regjistroi kohën 3 orë 16 minuta 5 sekonda.

Ciklizem

Holandezi Etien Van Empel dhe austriaku Sebastian Shonbereger plotësuan podiumin, ku të tre këta çiklistë u ndanë vetëm nga disa të qindtat. Me këtë sukses, Fioreli rrëmben edhe fanellën e verdhë të liderit të përgjithshëm, ku regjistron kohën 15 orë 51 minuta 20 sekonda pas katër etapave të para.

Ndërkohë, çiklisti i kombëtares shqiptare, Ylber  Sefa, nuk mundi të shkonte më shumë se vendi i 12-të në këtë garë, ku sportisti kuqezi mbërriti në finish 5 minuta e 32 sekonda pas vendit të parë. Me këtë rezultat, Sefa humbi edhe lidershipin e turit të 76-të të Shqipërisë, të cilin e kishte kryesuar në tri garat e para.

Turi i 76-te

Sot do të zhvillohet etapa e 5-të dhe e fundit e këtij turi, ajo SarandëVlorë, e gjatë 162 kilometra. Parashikohet një betejë e fortë, pasi katër çiklistët e parë, Fioreli, Van Empel, Shonberger dhe Fortunato, kanë vetëm 13 sekonda diferencë midis tyre.

AKSIDENTI

Etapa e katërt e turit të Shqipërisë u shoqërua edhe me një aksident të rëndë, pasi çiklisti italian Masimo Roza u rrëzua në afërsi të Sarandës e më pas u dërgua menjëherë në Spitalin e Traumës në Sarandë. Mësohet se 23-vjeçari është rrëzuar aksidentalisht. Pas ndihmës së parë u vu re se gjendja e tij ishte me probleme shqetësuese.

Ciklisti italian i aksidentuar

Çiklisti kishte dëmtim të anësive të sipërme dhe të poshtme me laceracione, plagë të hapura dhe dyshim për dëmtim të tendinave të anësive të sipërme. Masat organizative ishin në lartësinë e duhur dhe menjëherë u mundësua një helikopter për transportimin e tij në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku çiklisti do t’i nënshtrohet edhe ndërhyrjes kirurgjikale.

ARTIN LLESHAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"