Turi i 76-të Çiklistik/ Zambeli fiton të dytën, por komandën e ka Sefa

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 22, 2019 | 19:52

Turi i 76-të Çiklistik/ Zambeli fiton të dytën, por komandën e ka Sefa

Ka përfunduar ditën e djeshme etapa e dytë e Turit të 76-të Ndërkombëtar Çiklistik të Shqipërisë, me segmentin Shkodër-Elbasan e gjatë 189.2 kilometra. Ka qenë një etapë emocionuese, por pa probleme, ku edhe në finish nuk pati asnjë çiklist që kishte krijuar distancë me të tjerët, por ishte Samuele Zambeli ai që preku i pari vijën e finishit, në qendër të qytetit të Elbasanit.

Ciklizem turi 2

Nuk u vunë re probleme apo rrëzime të rrezikshme nga ana e pedaluesve gjatë kësaj gare, kjo edhe për shkak të motit të mirë dhe terrenit jo shumë të vështirë. Ka qenë disi e vështirë për të përcaktuar fituesin e kësaj etape dhe për ta zbardhur saktësisht fituesin u desh ndërhyrja e teknologjisë me fotofinish,  për ta përcaktuar përfundimisht edhe fituesin e kësaj etape, i cili u shpall italiani Samuele Zanbeli me kohën 4 orë, 28 minuta e 14 të qindtat.

Pas tij, me po të njëjtën kohë u renditën dy bashkëkombësit e tij, Mirko Sartori dhe Lorenco Kataldo. Kanë qenë fqinjët tanë nga Italia ata që janë treguar më të saktë në fund të etapës së dytë, ndonëse edhe pjesa tjetër e çiklistëve ishte fare ngjitur. Gjithsesi, Shqipëria është ajo që mban fanellën e verdhë, atë të kryesuesit të turit të 76-të, pas dy “sprinteve të para”, me Ylber Sefën që deri më tani ka qenë më i shpejti kundrejt kolegëverivalë.

60710298_2750932984948214_5348930327450484736_n

Nëse ia del të bëjë mirë edhe në etapat e mbetura, Sefa mund t’ia dalë të fitojë këtë tur çiklistik. Ndërkohë, fanella e gjelbërt dhe ajo e bardhë mbahet nga fituesi i etapës së djeshme, italiani Samuele Zanbeli. Fanella e kuqe i takoi Devid Fransen nga Belgjika. Ndërkohë, ditën e sotme do të bëhet nisja e etapës Elbasan-Vlorë, për të vazhduar një ditë më pas me Vlorë-Sarandë dhe për t’u mbyllur me Sarandë-Fier.

Turi i 76-te

YLBER SEFA – Në një prononcim për “Panorama Sport” pas garës, sportisti që mban fanellën e verdhë, shqiptari Ylber Sefa, u shpreh i lumtur që për momentin ndodhet në krye dhe shpreson që ta mbajë deri në fund këtë pozicion. “Sigurisht që ndihem mirë që po mbaj fanellën e verdhë, për më tepër që jam në vendin tim.

Ky sukses momental i imi është edhe si rrjedhojë e punës së të gjithë skuadrës, sepse i vetëm nuk mund të bësh dot asgjë. Unë do të vazhdoj të jap maksimumin në të gjitha etapat që kanë mbetur, por nëse do ta mbyll i pari ose jo, kjo mbetet për t’u parë deri në fund. E rëndësishme është të japim më të mirën”, u shpreh shkurtimisht pedaluesi shqiptar, Ylber Sefa.

VLADIMIR MEMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"