Tur për Kombëtaren U-19, Bogdani “skaner” talenteve të Superiores

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 13, 2017 | 11:28

Tur për Kombëtaren U-19, Bogdani “skaner” talenteve të Superiores

Pranimi i Kosovës në UEFA dhe FIFA ka bërë që numri i lojtarëve të gatshëm për të veshur fanellën e Kombëtares shqiptare të mos jetë i njëjtë. Kjo për vetë mundësinë e shtuar për të zgjedhur që kanë tashmë lojtarët me origjinë shqiptare.

Kjo ka bërë që Federata Shqiptare e Futbollit të mos jetë më në të njëjtat kushte pune sa u përket përzgjedhjes dhe rekrutimit të talenteve në skuadrat e ndryshme kombëtare. Megjithatë, numri i futbollistëve shqiptarë në skuadrat e huaja europiane duket se është ende kontingjenti kryesor për plotësimin e kuotave të nevojshme në ekipet kombëtare. Kampionati shqiptar ka dhënë sinjale të nxjerrjes së talenteve.

Bogdani

KOMBËTARJA U-19

Në fund të muajit prill, Kombëtarja U-19 do të ketë grumbullimin e radhës. Prej ditësh, trajneri i kësaj përfaqësueseje është në Shqipëri. Sigurisht që jo për pushime dhe për takime familjare, por për të survejuar nga afër të gjithë kontingjentin e futbollistëve që janë të vlefshëm për këtë skuadër përfaqësuese.

Nga informacione të marra në skuadra të ndryshme të akademive që funksionojnë në Shqipëri, “Panorama Sport” ka mësuar se Bogdani ka ndjekur nga afër seancat stërvitore në ekipe si Tirana, Partizani, Vllaznia, Teuta etj. Numri një i pankinës së kësaj Përfaqësueseje nuk ka ndjekur vetëm seancat stërvitore të skuadrave të para, për të ndjekur talentet që kanë spikatur me ekipet A, por më së shumti përgatitjet e ekipeve të të rinjve, të cilët përbëjnë edhe kontingjentin kryesor të skuadrës së tij.

Në faqen zyrtare të Federatës Shqiptare të Futbollit është bërë me dije që do të zhvillohet një grumbullim nga data 24 deri në 27 ku Erion Bogdani do të zhvillojë edhe dy teste me kontingjentin e grumbulluar.

“Skuadra përfaqësuese e 19-vjeçarëve do të zhvillojë një grumbullim, ku Erion Bogdani, pas suksesit të arritur në turneun “Roma Caput Mundi” si fitues i tij do të zhvillojë një stejxh stërvitor disaditor me një grup futbollistësh për të parë gjendjen dhe situatën. Në këto ditë pritet që trajneri të planifikojë edhe ndonjë testim miqësor”, ka njoftuar FSHF në faqen zyrtare.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"