Trukimet, reagon Skënderbeu: Për ne është histori e mbyllur

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 9, 2016 | 22:09

Trukimet, reagon Skënderbeu: Për ne është histori e mbyllur

Skënderbeu ka reaguar mbrëmjen e sotme pas publikimit të raportit të plotë të UEFA-s lidhur me ndeshjet e trukuara që sollën përjashtimin e klubit korçar për një vit nga Kupat e Evropës.

Untitled

Përmes një komunikate në profilin zyrtar në “Facebook”, klubi juglindor këmbëngul se përjashtimi për një vit erdhi pas dyshimeve për manipulim dhe jo fakteve të vërtetuara. Në të kundërt, sipas kampionëve në fuqi të Shqipërisë, përjashtimi nga UEFA do të kishte qenë për pesë vjet.

Reagimi i plotë:

“Marrë shkas nga shkrimet e sotme ne media dëshirojmë të reagojmë dhe të bëjmë të qartë që me vendimin e CAS-it është mbyllur historia e dënimit të klubit tonë. Për klubin tonë kjo histori është mbyllur përfundimisht.

Fillimisht dëshirojmë të rikujtojmë edhe njëherë se Klubi i futbollit ‘Skënderbeu’ nuk u dënua kurrë për trukim, por për shkak të dyshimeve u konsiderua ‘i papërshtatshëm’ për të marrë pjesë në kompeticionet evropiane. Diçka të tillë e vërteton dhe dënimi njëvjeçar i klubit. Legjislacioni i UEFA-s parashikon dënim mbi pesëvjeçar kur faktohet trukimi i ndeshjeve.

Ai që sot është konsideruar si raporti i UEFA-s mbi trukimet e ndeshjeve ku ka luajtur Skënderbeu nuk është asgjë tjetër veçse dosja e ‘Federbet’-it, kompania e kontraktuar nga UEFA për të ndërtuar dosjen e akuzës.

Ai raport nuk është asgjë tjetër veçse dosja e ‘prokurorit’ të çështjes. Gjykata sportive ka dhënë dënimin për Skënderbeun, dënim me pezullim për sezonin 2016-2017. Vendimi është shlyer dhe për momentin klubi i Skënderbeut është i pafajshëm dhe ka miratimin e UEFA-s për të luajtur në kompeticionet evropiane për sezonin 2017-2018.

Dosja e akuzës jo detyrimisht mbart të vërteta brenda saj. Asnjë nga ato që janë shkruar në akuzë nuk janë faktuar me dëshmi ose prova konkrete nga komisionet përkatëse të UEFA-s dhe diçka të tillë e vërteton dënimi vetëm për një sezon.

Klubi i Skënderbeut informon tifozët se nuk ka asnjë çështje gjyqësore të hapur dhe kjo mund te konfirmohet lehtësisht në institucionet gjyqësore të UEFA-s.

Ky sulm mediatik ishte i pritshëm nga klubi ynë prej muajsh. Problemi i mediave është ecuria pozitive e Skënderbeut. Por duhet të kuptohet se me këto sulme po dëmtohet jo vetëm Skënderbeu, por krejt futbolli shqiptar i cili për hir të së vërtetës njeh një rritje të madhe dhe cilësore gjatë viteve të fundit”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"