Trukimet, Prokuroria nis mbledhjen e provave për Skënderbeun

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 14, 2016 | 12:30

Trukimet, Prokuroria nis mbledhjen e provave për Skënderbeun

Njësia Task Forcë në Prokurorinë e Tiranës ka vendosur nisjen e procedimit penal në lidhje me trukimin e ndeshjeve pas raportit të publikuar nga UEFA në lidhje me klubin e Skënderbeut. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të Prokurorisë së Tiranës. Hetimi ka nisur kryesisht, pra pa një denoncim konkret.

skenderbeu-800x450

Shkak për nisjen e procedimit penal janë bërë publikimet në media në lidhje me një listë ndeshjesh brenda dhe jashtë vendit, rezultatet e të cilave dyshohet se janë fiksuar. Hetimi ka nisur për veprat penale të parashikuara nga nenet: 197/a i Kodit Penal, “Paracaktimi i rezultateve në garat sportive” dhe 197/b Shtrembërimi i konkurrencës në garat sportive.

Burimet e Prokurorisë kanë thënë se procedimi penal ka nisur vetëm mbi bazën e publikimeve në media, ndërsa pas këtij vendimi pritet që Prokuroria t’i drejtohet me kërkesa për informacion e dokumente Federatës Shqiptare të Futbollit dhe klubit të Skënderbeut.

Raporti

Po kështu në vazhdim, sipas Prokurorisë, do të kërkohet administrimi në rrugë zyrtare i raportit të UEFA-s për të cilin është folur në media, ndërsa që prej ditës së sotme ka nisur sekuestrimi i gjithë artikujve që janë publikuar në lidhje me çështjen nga mediat vizive dhe të shkruara në vend. Sipas Prokurorisë, vepra e “Paracaktimit të rezultateve në garat sportive” kur është kryer me qëllim përfitimi pasuror dënohet me burgim nga dy deri në shtatë vjet. Po kështu, “shtrembërimi i konkurrencës në garat sportive” ka një marzh dënimi nga gjobë deri në dy vite burgim.

Varësisht nga ecuria e hetimit dhe provave që do të dalin në dritë, Prokuroria nuk përjashton edhe mundësinë e marrjes në pyetje të drejtuesve të klubit, futbollistëve të Skënderbeut dhe skuadrave të tjera që kanë qenë pjesë e “listës së ndeshjeve të dyshuara”, si dhe përfaqësuesve të kompanive të basteve.

Në raportin e UEFA-s janë përmendur disa emra futbollistësh të Skënderbeut, por edhe ai i ish-ministrit të Financave, Ridvan Bode. Megjithatë, asnjë prej tyre nuk e ka pranuar akuzën, duke thënë se janë thjesht aludime dhe nuk ekziston asnjë provë.

Ministri i Financave Ridvan Bode dhe Presidenti i Skenderbeut Artan Take, gjate ndeshjes se futbollit, Tirana-Skenderbeu i Korces, 1-0, e vlefshme per Kampionatin Kombetar, e luajtur ne stadiumin, Qemal Stafa ne Tirane.

Hetimi ka nisur për veprat penale të parashikuara nga nenet: 197/a i Kodit Penal, “Paracaktimi i rezultateve në garat sportive” që kur është kryer me qëllim përfitimi pasuror dënohet me burgim nga dy deri në shtatë vjet. Neni 197/b Shtrembërimi i konkurrencës në garat sportive ka një marzh dënimi nga gjobë deri në dy vite burgim.

Kodi i Disiplinës
Në rastin e verifikimit të pjesëmarrjes së një lojtari ose zyrtari në influencimin e rezultatit të ndeshjes në përputhje me paragrafin 1. të këtij neni, personi juridik, shoqata ose klubi ku bën pjesë lojtari ose zyrtari përkatës do të dënohet me gjobë me një vlerë prej 2,000,000 (dy milionë) lekë. Me verifikimin e rasteve serioze, ose rasteve të bashkëpunimit në mënyrë të organizuar, personi juridik,shoqata ose klubi përkatës do të dënohet edhe me zbritje të 12 (dymbëdhjetë) pikëve, përjashtim nga gara ose kampionati, ose zbritje në një kategori më të ulët.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"