Trukimet, Prokuroria e Tiranës nis hetimet pas raportit të UEFA-s

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 13, 2016 | 13:40

Trukimet, Prokuroria e Tiranës nis hetimet pas raportit të UEFA-s

Çështja e trukimit të ndeshjeve shkon në organin e akuzës. Prokuroria e Tiranës ka regjistruar sot procedimin penal për çështjen “Skënderbeu”, e cila do të hetohet nga njësia Task Forcë mbi dyshimet për paracaktim të rezultateve në garat sportive.

Prokuroria e Tiranes

Ky vendim vjen pak ditë pasi UEFA publikoi raportin e inspektorëve të Komisionit të Etikës dhe Disiplinës, ku thuhej se në gjashtë vitet e fundit klubi korçar ka manipuluar mbi 50 ndeshje, 41 prej të cilave në Shqipëri.

Në këtë raport përmendej edhe emri i ish-ministrit të Financave, Rivdan Bode, i cili së bashku me presidentin aktual Ardjan Takaj dhe ish-presidentin Agim Zeqo, janë personat kryesorë të klubit të lidhur me bastet.

Në dokumentin prej 31 faqesh shkruhej se integriteti i ish-ministrit Bode vihej në pikëpyetje pas privatizimit të Lotarisë Kombëtare dhe hetimit për fshehje të borxhit kombëtar.

Më tej theksohej se Ardjan Takaj, me një të shkuar të pastër, është qendra e komplotit dhe se ai ka pasur lidhje direkte dhe indirekte me kompanitë e basteve në vend.

Ndërkohë Prokuroria i ka marrë dosjet e kësaj çështjeje nga UEFA qysh në nëntor 2013. Ishte Sekretari i Përgjithshëm aktual i “qeverisë” evropiane të futbollit, greku Teodor Teodoridis, ai që i dorëzoi dosjet organit të akuzës në kryeqytet.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"