Trukimet, përgjigjja e UEFA-s: Skënderbeu mund të dënohet sërish
Skënderbeu mund të marrë një tjetër dënim nga UEFA për trukime ndeshjesh.
Institucioni europian i futbollit, në një përgjigjje që i ka dërgjar “Top Channel”-it, bën me dije se, nëse rrethanat do ta justifikojnë, atëherë dënimi për klubin korçar do të vijë duke u bazuar edhe në Rregullat Disiplinore të UEFA-s.
Përgjigjja vjen pas deklaratës së presidentit të Skënderbeut, Ardjan Takaj, i cili dy ditë më parë tha se nuk ishte në dijeni të një dënimi të dytë të mundshëm ndaj klubit. Sipas tij, çështja është e mbyllur përfundimisht pas vendimit të Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv.
Në korrik, Komisioni Disiplinor i UEFA-s përjashtoi Skënderbeun nga Liga e Kampioneve për sezonin 2016-2017, pas dyshimeve të forta për përfshirje të skuadrës korçare në fiksime rezultatesh. Në raport theksohej se korçarët konsiderohen si të përfshirë në dy ndeshje të dyshimta në Champions dhe Ligën e Europës në 2015-n si dhe në 50 ndeshje të ndryshme të kampionatit dhe Kupës së Shqipërisë duke filluar nga viti 2011.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"