Trukimet në komunizëm, vlonjatët: Luftëtari u shit te Dinamoja për këpucë “Adidas”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 2, 2020 | 9:05

Trukimet në komunizëm, vlonjatët: Luftëtari u shit te Dinamoja për këpucë “Adidas”

Ish-futbollisti i Flamurtarit, Përparim Lushaj, ka reaguar dje për “Panorama Sport” pas historive të rrëfyera nga Kristaq Ciko për kampionatet e viteve ’80. Vlonjati i është përgjigjur gjirokastritit me të njëjtën monedhë, madje duke ironizuar se Luftëtari toleroi në dëm të Flamurtarit në ndeshjen e sezonit 1985-1986 ndaj Dinamos vetëm për disa këpucë të markës së famshme “Adidas”.

Lushaj

RRËFIMI – “Në momentin që ju më telefonuat për koincidencë unë isha në tavolinë me Vasil Rucin dhe kryetarin e Dhomës së Tregtisë, Arben Breshanin dhe pikërisht atë muhabet po bënim. Beni e kishte lexuar sot (dje) atë që ka deklaruar Ciko dhe më pyeti që nëse e mbaja mend këtë histori. Jo, i thashë unë. Vasili ishte aty me ne. I them, ore Vasil, çfarë është kjo po ti mban mend?

Jo tha Vasili, unë nuk e mbaj mend këtë. Unë e mbaj mend që ne u prishëm shumë keq me Gjirokastrën dhe shkonim keq që nga ai moment, por nuk i kishim të qarta detajet. Ata mbase kanë pretendimet e tyre, por ne nuk kemi lëshuar pe asnjëherë. Nuk kishim nevojë për lëmoshë.

Ekipi ynë nuk ka bërë kompromis asnjëherë. Na janë lutur dhe nuk kemi pranuar. Mund të kemi bërë ndonjë tolerim të lehtë, por kompromis jo. Ekipi ynë kishte klas, ishim të fuqishëm. Nëse do kishim bërë kompromis, unë do e dija se ne ishim mbrojtës aty edhe portieri, ne do të na thoshin”.

BASTET – “Kishte raste që hidhnin baste dhe na ofronin shumë lekë, na kanë ardhur, por unë Kreshniku dhe Rrapo nuk kemi pranuar”.

DHUNA – “Ata ta mbajnë turpin vetë, pasi ata ia hapën portën Dinamos. Kjo histori mund të ketë qenë në vitet ’84-’85, kurse historia jonë që humbën kampionatin ka qenë ’85-’86. Unë e mbaj mend që u prishëm me ta, pasi kam qenë pretendent vetë bashkë me Fred Ziajin. Patëm konflikte shumë të ashpra me lojtarët e Gjirokastrës në fushë dhe jashtë fushës. Ka ndodhur edhe një histori më e harbutshme, në prill të vitit 1987, kur unë jam dëmtuar. Unë jam dëmtuar në javën e parë, ekipi ynë shkoi në Gjirokastër dhe atje kanë ndodhur skandale.

Madje, Braho është futur nga stoli që nuk luante fare, vajti qëlloi Fred Ziajin brenda në fushë. U futën tifozët, u futën policët e Gjirokastrës dhe policët tanë. Plasi sherr i madh dhe u goditën e u qëlluan. Ai ishte kulmi fare që arriti. Ata si duket e kanë marrë këtë për kapital dhe tani i nxorën. Kjo situatë fryhej nga lojtarët dhe tifozët e Gjirokastrës. Gjatë lojës kishte momente edhe që luhej lojë e ashpër, jashtë rregullores, jashtë të gjitha gjërave. Normal, pasi ishte edhe pak e lejuar atëherë, që abuzoje me arbitrat, nuk është si tani”.

TOLERIMI – “Unë mbaj mend se lojtarët e vjetër si Urani, këta kishin marrëdhënie shumë të mira, sidomos me Brahon, që ishte nga sulmuesit më të mirë dhe më të vështirë të kampionatit. Edhe lojtarët në përbërje të saj Gjirokastra i kishte shumë të mirë. Por nuk ishte e thjeshtë që të konkurroje, gjithmonë rrezikohej nga fundi.

Por ishte gjithmonë një fushë e vështirë dhe kjo na bëri që të dyshonim, por ne nuk e kemi pasur parasysh fare këtë, ata e kanë mbajtur në heshtje argumentin e acarimit të marrëdhënieve. E kanë mbajtur në vetvete dhe kanë pritur momentin dhe janë hakmarrë, duke i hapur portën Dinamos”.

KËPUCËT “ADIDAS” – “Ne gjithmonë vrisnim mendjen cila ishte arsyeja, por mendonim se Dinamo i gënjeu me një palë këpucë. Atëherë u çuan ca këpucë “Adidas” atyre, që ëndërronim ne që t’i kishim. U gënjyen me gjëra kështu, banale. Por e dinim edhe atë që ata nuk ishin shumë dashamirës ndaj nesh.

Ngjarja e fundit fare ka qenë në vitin 1987. Por nga ’84-‘85, sa po vinin dhe po egërsoheshin dhe marrëdhëniet nuk ishin fort të mira. Kur u goditën lojtarët tanë në Gjirokastër, unë isha i dëmtuar dhe kam qenë në shtëpi. Më tregoi Fred Ziaji se ai ishte epiqendra, pasi Fredi kishte një natyrë edhe të ashpër në momente të caktuara.

LOJA E RËNDË – “Si ai edhe unë kishte momente që me këta lojtarët që ishin problematikë përdornim të gjitha mënyrat. Ishte pjesë e lojës edhe ajo. Edhe ne kishim piketuar atë dhe të dy bashkë luanim pak ashtu… Ne i pranojmë vetë, mbase nuk duhet të ishin ashtu, por ishte pjesë e lojës ajo”.

MIQËSIA – “Kurse tani, ne jemi miq me ta dhe takohemi, edhe me Brahon, me Luan Seitin dhe me të tjerët. Kemi marrëdhënie të mira. Por që ka qenë ajo kohë, ashtu ishte dhe ne duhet të merrnim ato frytet tona. Por, ne në ndërgjegjen tonë, ta them me pastërti, që edhe Vasili nuk e mban mend, pasi do ma thoshte mua”.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"