Trukimet, Agim Zeqo sulmon UEFA-n: E ka humbur besueshmërinë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 11, 2016 | 19:30

Trukimet, Agim Zeqo sulmon UEFA-n: E ka humbur besueshmërinë

Ish-presidenti i Skënderbeut, Agim Zeqo, ka reaguar sot lidhur me raportin e UEFA-s mbi përjashtimin e klubit korçar për një vit nga Kupat e Evropës.

Përmes një letre të hapur, ish-kreu i klubit juglindor ka sulmuar institucionin drejtues të futbollit evropian. Sipas Zeqos, UEFA e ka humbur besueshmërinë dhe ai do të përballet me të në shkallët e drejtësisë sportive.

“Dikur institucioni i UEFA-s, për të gjithë ne besoj se ka qenë një bashkim i vlerave të përbashkëta të të gjithë anëtarëve të saj, por pas ngjarjeve të 2 viteve të fundit, ku presidenti dhe një pjesë e mirë e drejtuesve janë akuzuar për korrupsion dhe sidomos qëndrimi i saj i paprecedent pas ndeshjes së Kombëtares sonë në Beograd, në sytë e mi, por jo vetëm, UEFA ka humbur totalisht besimin dhe kredibilitetin. Më duket qesharake të të akuzojë një i akuzuar”, shprehet mes të tjerash Agim Zeqo.

skenderbeu-800x450

Letra e plotë:

“Të dashur ‘Ujqërit e Dëborës’ dhe dashamirës të ekipit të Skënderbeut. Pas rreth 2 vjet e gjysmë përpjekjesh dhe suksesi të përbashkët me ekipin tonë të zemrës, kisha vendosur të komunikoja me ju vetëm nëpër shkallët e stadiumeve dhe jo nëpërmjet mediave. Por, sulmet e ditëve të fundit kundër Skënderbeut, sukseseve dhe rekordeve të tij për kampionatin tonë, ma bëjnë të domosdoshme një sqarim për ju.

Nëpërmjet kësaj deklarate, dua t’ju siguroj ju se çdo sukses që kam arritur në jetën time, përfshirë këtu edhe ekipin e Skënderbeut, kanë qenë fryt i përpjekjeve dhe dëshirës së madhe për të qenë fitues kudo. Asnjëherë në jetën time nuk kam qenë fallco apo të jem shtirur. Dua t’ju siguroj juve se brohoritjet dhe duartrokitjet e sinqerta për ekipin e Skënderbeut, asnjëherë të vetme për sa kohë unë kam qenë president i klubit, nuk kanë qenë për diçka jo të vërtetë. Ekipit ju ia keni dhënë me zemër dhe ai i ka merituar 100. Besoj dhe mendoj shumë që dhe pas largimit tim dhe deri më sot, kanë qenë të tilla.

Natyrisht, i takon presidentit Takaj të shpjegohet më shumë për këtë periudhë. Sulmet e ditëve të fundit ne bashkërisht duhet t’i marrim vetëm si një përpjekje të disa grupeve të caktuara, të cilat nëpërmjet letrave anonime apo ndonjë lidhjeje të tyre miqësore në institucionin e UEFA-s, kanë menduar se do të përfitojnë financiarisht apo dëmtojnë figurën time dhe imazhin e ekipit të Skënderbeut.

Raportin e UEFA-s për Skënderbeun u detyrova ta lexoj këto ditë. Ai, sipas rregullave të vetë UEFA-s, duhet të ishte konfidencial. Dalja e tij në media rikonfirmon edhe një herë opinionin tim për gjithë këtë situatë. Dikur institucioni i UEFA-s, për të gjithë ne besoj se ka qenë një bashkim i vlerave të përbashkëta të të gjithë anëtarëve të saj, por pas ngjarjeve të 2 viteve të fundit, ku presidenti dhe një pjesë e mirë e drejtuesve janë akuzuar për korrupsion dhe sidomos qëndrimi i saj i paprecedent pas ndeshjes së Kombëtares sonë në Beograd, në sytë e mi, por jo vetëm, UEFA ka humbur totalisht besimin dhe kredibilitetin. Më duket qesharake të të akuzojë një i akuzuar.

Për të respektuar punën, mundin dhe përpjekjet e mia, e natyrisht edhe emocionet e brohoritjet tuaja në shkallët e stadiumeve, unë po ju informoj se do përballem me ta përpara drejtësisë, pikërisht në atë gjykatë ku ata kanë edhe selinë e tyre, për të nxjerrë në shesh të vërtetën.

Uroj që këtë vit ekipi i Skënderbeut në fushën e lojës, ‘Ujqerit e Dëborës’ në shkallët e stadiumeve dhe qyteti i mrekullueshëm i Korçës me mikpritjen e tij, më shumë se çdo herë tjetër të tregojnë vlerat e tyre dhe të bëjnë që të gjithë ata që u përpoqën t’i prishin imazhin, t’ju vijë turp. Ju përshëndes të gjithëve dhe uroj të dilni përsëri kampion”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"