5 klube të Superiores nën hetim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 4, 2014 | 9:10

5 klube të Superiores nën hetim

trukimetJanë të paktën pesë klube të Kategorisë Superiore për edicionin e shkuar në “listën e zezë” të Komisionit Europian, kur flitet për dyshime për trukime të ndeshjeve. Lajmi është bërë i ditur nga thuajse të gjitha mediat europiane dhe botërore ditën e djeshme, pas raportit 2013-2014 të prezantuar dje në Parlamentin Europian nga “Federbet” (Federata Europiane e Operatorëve të Sektorit të Basteve), e cila ka si qëllim parësor luftën kundër trukimit të ndeshjeve. Sipas raportit, janë të paktën 110 ndeshje të dyshuara si të trukuara në gjithë botën, të cilat i përkasin edicionit që sapo u mbyll në kampionate të ndryshme të Europës, si dhe në kompeticionet më prestigjioze, si Kupa e Kampioneve dhe Liga e Europës. Në listë janë kampionate të vendeve si Qipro, Greqi, Lituani, Gjeorgji, Moldavi, por edhe Itali, Francë, Portugali dhe Angli. E natyrisht nuk ka sesi të mungojë edhe Shqipëria. Nga kampionati shqiptar janë dy ndeshje të dyshuara si të trukuara, si dhe katër të tjera që u përkasin Kupave të Europës. Në “gijotinë” janë Skënderbeu, për dy ndeshjet e luajtura në turin e tretë të Kupës së Kampioneve me kazakët e Shkahter Karagandy, Teuta për tri ndeshje: një në kampionatin shqiptar ndaj Lushnjës dhe dy në Ligën e Europës, me Daçia Kishinau, si dhe Tirana e Kastrioti për takimin e luajtur mes tyre në javën e 31-të të Superiores. Sipas “Federbet”, merkatoja botërore e basteve ka një xhiro parash nga 500 deri në 700 miliardë dollarë në vit, nga ku të paktën 10% mendohet se janë parà nga ndeshje të trukuara. Në to futen edhe përballjet e skuadrave shqiptare, të cilat kuotohen jo vetëm në Shqipëri (gjithsesi pak), por edhe jashtë, më së shumti në vendet aziatike. “Janë numrat ata që flasin dhe ata nuk gënjejnë thuajse kurrë, – shpjegon Françesko Baranka, sekretari i Përgjithshëm i ‘Federbet’. – Ne analizojmë të gjitha kuotat e çdo ndeshjeje. Këto janë si aksionet në bursë, të cilat kanë një vlerë që varet nga merkatoja dhe kuptohet fare lehtë nëse një ndeshje luhet thjesht për çështje basti sportiv apo se ka ndërhyrje në fiksimin e rezultatit, nisur natyrisht nga sasia e madhe e parave që luhen për atë takim”.

Kush është “Federbet”, kompania që financon BE
“Federbet” është një kompani e krijuar në 2010-ën, nën “ombrellën” e Komunitetit Europian dhe me seli në Bruksel, Belgjikë. Duke parë problematikën e theksuar në fiksimin e ndeshjeve, Europa vendosi të vinte në dispozicion një fond të veçantë për luftën ndaj këtij fenomeni, ndaj edhe u krijua pikërisht ky organizëm. Qëllimi i kësaj kompanie është lufta ndaj trukimit të ndeshjeve. President i “Federbet” është Paolo Tavareli, ndërsa rolin e sekretarit të Përgjithshëm e mban Françesko Baranka. Kjo kompani ka evidentuar një sistem, i cili arrin të identifikojë ndeshje të dyshuara si të trukuara. Kompania ka një qendër të dhënash, e cila monitoron çdo ndeshje të mundshme që luhet dhe në çdo rast kur ka lëvizje jo normale, në shumë të mëdha, atëherë “bie alarmi” dhe takimi në fjalë hyn në “listën e zezë” të ndeshjeve të dyshuara si të trukuara.

“FEDERBET”
“Ja si janë trukuar ndeshjet”

LUSHNJA-TEUTA (0-2) – Kjo ndeshje i përket javës së 31-të të Kategorisë Superiore, luajtur më 30 prill në “Roza Haxhiu”. Për kompaninë “Federbet”, rezultati 0-2 i këtij takimi dyshohet si i trukuar. Për “2”-in (fitoren e Teutës) janë vënë shuma të mëdha parash, ndaj edhe për kompaninë kjo ndeshje duhet të hetohet deri në detaj, pasi rezultati ka qenë i fiksuar.
KASTRIOTI-TIRANA (2-3) – Edhe ky takim është luajtur në të njëjtën ditë dhe në të njëjtën orë. Në raportin e vet kompania e shikon “2”-in, fitoren e bardhebluve, si tejet të parashikueshëm, ndaj edhe për këtë takim janë vanë shuma të mëdha parash. Për kronikë, Tirana fitoi një nga takimet më të lehta të fazës së tretë.
TEUTA-DAÇIA (3-1) – “Federbet” raporton se rezultati i këtij takimi ka qenë i fiksuar, ndaj janë luajtur shuma të mëdha për fitore të vendësve dhe se do të shënoheshin të paktën tre gola. Ashtu ndodhi.
DAÇIA-TEUTA (2-0) – Akoma më “i frikshëm” rezultati i takimit të kthimit që, sipas raportit të kompanisë europiane, jo vetëm që është fiksuar për “1”, fitore të vendësve, por edhe se ndeshja do të dilte me rezultat të saktë, 2-0.
KARAGANDY-SKËNDERBEU(3-0) – Për këtë takim “Federbet” saktëson se janë luajtur shuma të mëdha se shënoheshin vetëm tre gola. Dhe vendësit shënuan golin e tretë (ndoshta rastësisht), në minutën e 90-të.
SKËNDERBEU-SHAKHTER (3-2) – Ndërsa për këtë ndeshje është vënë bast se do të shënoheshin mbi katër gola. Në fakt basti u kap që në minutën e 38-të të pjesës së parë, kur rezultati shkoi 3-1 për korçarët.

hasanbelliuKlubet: Të hetohet, nuk kemi trukuar ndeshje
Ashtu sikundër pritej, katër klubet e Supe riores (nuk reagoi çuditërisht vetëm Skënderbeu) kanë hedhur poshtë çdo mundësi implikimi të tyre në trukime ndeshjesh, duke theksuar se janë të gatshme të vënë gjithçka në dispozicion të hetimeve.
Teuta – Presidenti i Teutës, Edmond Hasanbelliu, e ka përjashtuar kategorikisht mundësinë që skuadra e tij të jetë e përfshirë në afera trukimesh. “Së pari, më duhet të saktësoj se mbaj përgjegjësi vetëm për ekipin tim dhe nuk ka pikë dyshimi që Teuta është jashtë këtyre aferave. Se çfarë bëjnë kundërshtarët me të cilët luan skuadra ime, kjo nuk na përket neve. Ndodh që ndonjëherë një skuadër për interesa të veta kërkon të humbë patjetër, por kjo nuk do të thotë se skuadra që fiton ka përgjegjësi. Teuta ka luajtur në mënyrë korrekte. Unë vetëm kaq mund të them”, – u shpreh ai për “Panorama Sport”. Sa u përket ndeshjeve të dyshuara në Europë kundër Dacia Kishinaut, Hasanbelliu deklaroi: “Në Durrës fituam me meritë të plotë dhe kjo nuk duhet të diskutohet nga askush. Në Moldavi, në fakt, pati presion ekstra-futbollistik. Mendoj se pati aq shumë presion mbi ekipin tonë, saqë kjo ndoshta ndikoi edhe në fatet e ndeshjes. Ne menduam edhe të bënim një ankesë në UEFA, por më pas vendosëm të mos e bënim, sepse në fund të fundit rezultati nuk do të zhbëhej më”, – u shpreh kreu i klubit durrsak.
Tirana – Në këtë linjë ka qenë edhe Krenar Alimehmeti. I pyetur me dyshimet e hedhura nga “Federbet” në lidhje me ndeshjen e fazës së tretë, të luajtur në Krujë, mes Tiranës dhe Kastriotit, administratori i klubit të Tiranës shfaqet i habitur. “Nuk kam asnjë dijeni në lidhje me këtë çështje. Tani po e dëgjoj, ndaj nuk di çfarë të them. Megjithatë, unë ndeshjen e kam parë në tribunë dhe nuk kemi kurrfarë dyshimi. Jam i habitur, nuk kemi asnjë të dhënë. Tirana është e pastër, ne s’kishim luksin të trukonim ndeshje, pasi dihet që sezonin e fundit luanim për mbijetesë. Objektivi ynë i qartë ishte që të fitonim në çdo takim, sikundër kemi vepruar në gjithë pjesën e dytë të sezonit. Ndaj edhe me Kastriotin u futëm në fushë për të fituar dhe ia dolëm. Jemi të qetë dhe të hapur për çdolloj hetimi”, – ka pohuar ai.
Kastrioti – Ndërsa zyrtari i Kastriotit, Shaban Dollaku ka qartësuar se skuadra krutane humbi për shkak se ishte e demotivuar. “Në lidhje me ndeshjen Kastrioti-Tirana, KF Kastrioti pohon se nuk ka pasur asnjë lloj trukimi dhe marrëveshje. Tjetër është pastaj motivimi i skuadrës për këtë ndeshje, sepse në fakt prej kohësh në atë periudhë situata në klasifikimin e Kastriotit ishte pa shpresa dhe natyrisht që për skuadrën dhe për ne si staf ishte i vështirë motivimi për cilëndo nga ndeshjet. Problemin e motivimit dhe të situatës sonë në fakt e kemi ngritur edhe në atë kohë. Kur për ne nuk luftohej më për asgjë dhe fati ynë për rënien nga kategoria ishte tashmë i shkruar, të gjithë prisnin që ky sezon të mbaronte sa më parë”, – deklaron Dollaku.
Lushnja – Sakaq, zyrtari i Lushnjës Olsi Stambolliu u ndje i çuditur nga raporti i “Federbet”. “Nuk kam asnjë dijeni për sa po thoni dhe realisht ndihem i hutuar dhe çuditur. Nuk di se çfarë të them në këto momente. Ndoshta nesër (sot), pasi të shikojmë për çfarë bëhet fjalë, do të dalim me një qëndrim zyrtar të klubit”, pohoi ai.

Komision Europian-Interpol, ja si funksionon hetimi
Kur një ndeshje hyn në listën e të dyshuara si të trukuara, atëherë përveç raportit nga ana e “Federbet”, ajo analizohet edhe prej ekspertëve të Komisionit Europian dhe Parlamentit Europian. Duke qenë se “Federbet” financohet pikërisht nga BE-ja, atëherë ai jep llogari në një farë mënyre tek organizmat europianë. Mirëpo, qarku nuk mbyllet me kaq. Më pas komisioni ia kalon listën Interpolit, organizëm ky që ka edhe mjetet më të sofistikuara për zbulimin edhe të fakteve për trukim të një ndeshjeje. Kujtojmë që edhe vitin e shkuar Interpoli doli me një listë të gjatë (mbi 440 ndeshje) që kishte vënë nën hetim, por pa dhënë detaje mbi këto të fundit. Zakonisht hetime të tilla nuk bëhen thuajse asnjëherë publike, të paktën jo para se të kalojnë në gjykatë. Kështu zyrtarisht nën hetim nga Interpoli janë edhe ndeshjet e Vllaznisë dhe Tiranës të luajtura dy-tre vitesh në Kupat e Europës.

UEFA, dy herë në 6 muaj në Tiranë për trukimet
Edhe UEFA ka qenë e shqetësuar për trukimet në Shqipëri. Ky fakt është vërtetuar nga dy vizita të bërë nga inspektorët e UEFA-s në Prokurorinë Shqiptare në harkun e 6 muajve. Kështu në prill, një grup i përbërë nga dy inspektorë u takuan me drejtorin e hetimit, Adnan Xholi, me të cilin biseduan në lidhje me luftën ndaj trukimit të ndeshjeve. Ndërsa, jo më larg se 22 nëntori i 2013-ës UEFA pat vendosur një marrëdhënie të drejtpërdrejtë me Prokurorinë e Përgjithshme, kjo me qëllim luftimin me sa më efikasitet të trukimeve në futbollin shqiptar. Atëherë ka qenë zv/presidenti i UEFA-s, Teodoros Teodoridhis, ai që pati një takim në Prokurorinë e Përgjithshme. Pas atij takimi u vërejt një ndryshim kursi: UEFA nuk pret që dosjet që ajo i dërgon federatës, kjo e fundit t’ia transmetojë për hetim Prokurorisë, por ia nis menjëherë.

Zbulimi, FSHF-ja ka dijeni për ndeshjet
Në dyshimet për trukim të ndeshjeve implikohet indirekt edhe Federata Shqiptare e Futbollit. Në fakt, sipas “Federbet”, kur ka dyshime më se të qarta për fiksim të rezultatit të një ndeshjeje, për shkak të shumës së madhe të parave që vendosen për atë, ajo lajmëron menjëherë federatat e skuadrave respektive. Pra, në rastin konkret, kur është qartësuar sipas “Federbet” se ndeshje si Kastrioti-Tirana, Lushnja-Teuta, apo Skënderbeu-Shakhter futen në “listën e zezë”, atëherë është lajmëruar edhe FSHF-ja, e cila në rastin konkret e ka mbajtur sekret.
LEONARD KARAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"