“Trukime” dhe birra, kapriçozi Vida e ka golin në gjak…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 9, 2018 | 11:32

“Trukime” dhe birra, kapriçozi Vida e ka golin në gjak…

Luka Modriç dhe Danijel Subasik mund të kenë qenë heronjtë për të sjellë Kroacinë deri në gjysmëfinale, por kundër Rusisë një protagonist absolut, brenda dhe jashtë fushës, ishte mbrojtësi Domagoj Vida. Edhe pse me golin e 2-1 në shtesë u dha më kot një iluzion fitoreje ballkanasve, gjithsesi ai ishte shumë i ftohtë dhe deciziv në penalltinë e katërt të “ruletës ruse”, e cila i largoi edhe më shumë frikën dhe i dha më tepër garanci Rakitiçit që të godiste i sigurt më pas topin e fitores.

vida goli

Domagoj Vida, ky biond 29-vjeçar prej 185 centimetrash dhe 80 kilogramësh, ka lindur ne Nasice, qytezë pranë Osijekut, fare pak hapa nga Serbia, një kufi i ndërtuar me gjak e me vuajtje, po rikthehet të fitojë faqet e kopertinave, pas një karriere pozitive, por të mbushur edhe me telashe. Dhe atë të radhës e dhuroi menjëherë pas suksesit me Rusinë, diçka që mund t’i kushtonte shumë atij dhe Kroacisë.

“Lavdi Ukrainës”

Qendërmbrojtësi i Beshiktashit, në një video të postuar në “Facebook”, ishte duke festuar me Ognjen Vukojeviç, ish-lojtar i kombëtares dhe tashmë pjesë e vëzhguesve të talenteve për klubin ukrainas të Dinamos së Kievit, por në të njëjtën kohë pjesë e stafit të Zllatko Daliçit. Të dy së bashku festojnë duke deklaruar: “Lavdi Ukrainës. Kjo fitore është për Dinamon (e Kievit, ku Vida ka luajtur për 5 vite) dhe për Ukrainën. Përpara Kroacia!”.

vida

Kaq ka mjaftuar që duke njohur konfliktin e hapur mes Ukrainës dhe Rusisë për çështjen e Krimese, vendi organizator të dërgojë një letër proteste në FIFA, ku kërkonte pezullimin e futbollistit, por fatmirësisht FIFA e ka kaluar thjesht me një paralajmërim, ndërsa vetë lojtari kërkoi falje publike: “Më vjen keq që festa ime është keqinterpretuar.

Qëllimi im nuk ishte të fyeja askënd apo akoma më shumë të hapja ndonjë plagë politike. Fakti është se në Ukrainë kam luajtur shumë vite dhe kam lënë shumë miq. Ajo ishte thjesht përshëndetja ime ndaj miqve ukrainas, që kishin bërë tifozllëk për mua dhe Kroacinë me rastin e ndeshjes së Rusisë”.

vida

Babai bomber

Domagoj Vida ka luajtur edhe për klubet e Dinamos së Zagrebit, Leverkusenin dhe Dinamon e Kievit, por me paraqitjet që po bën, tashmë ka përfunduar edhe në vëmendjen e Liverpulit, me trajnerin Jurgen Klop që kërkon të bashkojë në “Anfield Road” dyshen kroate, së bashku me Lovren, duke formuluar një ofertë prej 15 milionë eurosh, në orët e fundit. Për sa u përket rrënjëve të tij, Vida, edhe pse si rol bën mbrojtësin, në gjak ka edhe golin, të trashëguar prej babait të tij. Domagoj është djali i Rudikas, që si “profesion” kishte atë të bomberit.

Vida

Në sezonin 1993-1994 ai shënonte me Belishen 26 gola dhe i treti mes goleadorëve kroatë. Madje, në sezonin 1988-1989 i jepte leksione edhe një 20-vjeçari si Davor Shuker, shok skuadre tek Osijeku, pikërisht atij Davor Shukeri që në Botërorin 1998 u shpall “Këpuca e Artë” e turneut të organizuar në Francë.

Telashe

Karriera e tij ka ardhur në ngjitje, por e kaluara ka pasur jo pak telashe. Herën e parë që bëri bujë, edhe pse pak i njohur, ishte kur ai u kap nga trajneri i tij, Ante Çaçiç, teksa hapte një birrë, ndërsa udhëtonte në autobus me skuadrën. Ndaj lojtarit, jo vetëm 100 mijë euro gjobë, por trajneri urdhëroi shoferin që të ndalte autobusin dhe ta linte në mes të rrugës. Por akoma më shumë se kaq, Domagoj Vida bëri xhiron e botës në sezonin 2011-2012, gjatë një ndeshjeje mes Dinamos së Zagrebit dhe Lionit.

vida3

Në atë rast, me kroatët e eliminuar, francezëve u nevojitej një goleadë me të paktën pesë gola diferencë për t’u kualifikuar dhe në fund ashtu ndodhi: Lioni fitoi 7-1, ndërsa Vida bëri mjaft “favore” në atë ndeshje, madje duke përgëzuar dhe duke i shkelur syrin teksa qeshte edhe kundërshtarit, sulmuesit Gomis.

vida

Kjo sfidë dhe Vida hynë menjëherë nën hetim, por asnjëherë nuk pati fakte si e trukuar, edhe pse në Kroaci nisën të qarkullonin edhe disa foto të lojtarit, një ditë përpara ndeshjes me Lionin, teksa dilte me një skedinë lotoje në dorë nga një pikë bastesh.

Përgatiti: JETON STAMOLLA

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"