Tronditet Teuta, Lena dhe Hrkaç mbyllin vitin. Hila do fitoren ndaj Partizanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 6, 2017 | 13:44

Tronditet Teuta, Lena dhe Hrkaç mbyllin vitin. Hila do fitoren ndaj Partizanit

Humbja kundër Kamzëska lënë një shije të hidhur te Teuta dhe te stafi teknik, madje këta të fundit nuk dinë kujt t’ia faturojë këtë disfatë. Përpara stërvitjes së të martës, Gugash Magani zhvilloi një analizë me skuadrën, ku u ndal te gabimet që të tijtë bënë kundër kamzalinjëve.

teuta kamza

Pas 40 minutash, lojtarët zbritën në fushë për të zhvilluar normalisht stërvitjen, me përjashtim të kapitenit Nijas Lena që nuk ishte prezent dhe mbrojtësit Ante Hrkaç, i cili e ndoqi stërvitjen nga pankina.

Që të dy futbollistët e kanë mbyllur vitin. Lena dhe Hrkaç priten të kthehen në fillim të janarit pas dëmtimeve të rënda që kanë pësuar kundër Kamzës. Përtej mungesave, durrsakët duan kthesën ndaj Partizanit. Këtë thotë edhe Ardit Hila në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” që sakrifikon edhe lojën e bukur për pikët.

ardit hila

Kthesa ndaj Partizanit a do ishte mënyra më e mirë për të harruar gabimin me Kamzën?

Na pret një ndeshje e vështirë, Partizani ka ardhur në rritje në kohët e fundit, por edhe ne jemi një ekip i fortë dhe me ambicie, pavarësisht hapit fals me Kamzën. Ishte një ndeshje që duhet ta harrojmë sa më parë, por duke mos i përsëritur më ato gabime, pasi do të ishte fatale.

A do të ndikojnë mungesat në këtë duel?

Kemi mungesa të rëndësishme, por të gjithë lojtarët janë të rëndësishëm në një ekip dhe askush nuk është i pazëvendësueshëm. Lojtarët e rinj ose ata që kanë pasur më pak hapësira tani duhet të tregojnë sa vlejnë. Në fazën e parë, Partizani vinte pas një momenti shumë të dobët, por iu mposhti, madje me përmbysje.

Tani që po kalon një formë të mirë, i trembeni?

Në fazën e parë kemi bërë lojëra të mira, por në fund nuk kemi marrë pikë. Partizani po kalon një moment të mirë, por ky fakt nuk na shqetëson. Shpresoj të përsëritet ndeshja e fazës së parë, por me ndryshimin e vetëm që fitoren ta marrim ne. Do të isha shumë i kënaqur edhe nëse fitojmë duke luajtur keq. Tani na duhen pikë.

Ardit Hila Teuta

A ka presion në skuadër, si u përjetua humbja me Kamzën dhe dalja nga objektivi?

Presion ka në çdo ekip, e rëndësishme është që ne të punojmë fort në stërvitje dhe të japim maksimumin në fushë. Sigurisht që humbja u përjetua keq, pasi nuk e kishim menduar. Jemi larguar pak nga klasifikimi, megjithatë kampionati është shumë i gjatë dhe ka shumë ndeshje përpara. Ne duhet të punojmë fort në fushë dhe të zbatojmë detyrat që na jep trajneri.

Duke parë rezultatet që keni arritur deri tani, ku mendon se Teuta duhet të përforcohet në merkato?

Kjo pyetje nuk më takon mua, megjithatë mendoj se çdo trajner kërkon të ketë sa më shumë alternativa për të qenë kompetitiv. Mendoj se do të ishte mirë të vinte një sulmues me peshë, por besoj se edhe një mbrojtës do të na bënte shumë punë.

DRILON XHEPOLLARI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"