Tronditet peshëngritja, Masllavica jep dorëheqjen: Nëse unë qenkam problemi, atëherë…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 13, 2020 | 11:49

Tronditet peshëngritja, Masllavica jep dorëheqjen: Nëse unë qenkam problemi, atëherë…

Federata Shqiptare e Peshëngritjes është tronditur në prag të asamblesë zgjedhore, e cila do të zhvillohet më 14 nëntor në kryeqytet. Presidenti aktual i FSHP-së, Theodhor Masllavica, ka njoftuar në mënyrë të papritur dorëheqjen nga gara për president të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes. Një lajm befasues për të gjithë komunitetin e shtangës në vend. Masllavica ka njoftuar tërheqjen e tij nga gara me anë të një deklarate, në të cilën shkruan: “Të nderuar miq, sportistë dhe bashkëpunëtorë. Në cilësinë e presidentit të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, dua t’ju njoftoj se për arsye personale jap dorëheqjen nga pozicioni i presidentit dhe kandidatura ime për pozicionin e presidentit në zgjedhjet e dt. 14.11.2020. Këtë dorëheqje e jap në mënyrë të parevokueshme. Dëshiroj të falënderoj të gjithë mbështetësit dhe bashkëpunëtorët e mi për të cilët kam një vlerësim maksimal dhe besoj se do t’ia dalin në çdo arritje sportive. Me respekt, Theodhor Masllavica”, shkruhet në deklaratën e presidentit.
zzz-1
Kujtojmë që Masllavica u zgjodh në krye të shtangës më 5 prill të vitit 2018, në periudhën më të vështirë të historisë së peshëngritjes shqiptare. Ai e mori drejtimin e FSHP-së në një kohë kur peshëngritja ishte përjashtuar edhe nga Komiteti Olimpik për shkak të skandaleve të shumta të dopingut, ku plot 12 sportistë kishin rezultuar pozitivë me substanca të ndaluara. Por, në dy vite e gjysmë që Masllavica qëndroi në krye të FSHP-së, asnjë sportist shqiptar nuk u kap më me doping, ndërsa edhe KOKSH ia hoqi penalizmin shtangës. Federata ndërmori fushata të ndryshme për ta luftuar këtë fenomen, ku përveç testimeve të shumta në aktivitete kombëtare, u realizuan edhe seminare të shumta për sensibilizimin e sportistëve. Ndërsa, përveç luftës ndaj dopingut, nuk kanë munguar as rezultatet e shkëlqyera ndërkombëtare, kurse garat kombëtare kanë shënuar gjithnjë një numër në rritje të pjesëmarrjes së sportistëve.
masllavica
Kujtojmë se vetëm në vitin 2019, Shqipëria ka arritur të fitojë plot 37 medalje të pastra në arenën ndërkombëtare, duke e konfirmuar peshëngritjen si sportin më elitar të vendit. Por, në mënyrë krejt të papritur, presidenti vendos të tërhiqet, duke i befasuar të gjithë me vendimin e tij. “Nëse unë qenkam problemi, atëherë më mirë po largohem”, ishin fjalët e para të Theodhor Masllavicës, pas largimit nga detyra e presidentit. Siç dihet, javët e fundit në prag të zgjedhjeve, komuniteti i peshëngritjes ishte përfshirë në polemika dhe akuza të ndërsjella, pas përjashtimit të kandidaturës për president të Elez Gjozës.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"