Tronditet Kastrioti/ Sulmuesi disa javë larg fushave të blerta, operohet në menisk

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 26, 2022 | 10:28

Tronditet Kastrioti/ Sulmuesi disa javë larg fushave të blerta, operohet në menisk

Kastrioti ka vijuar stërvitjen në kompleksin e Kamzës me nga dy seanca në ditë. Stafi teknik është i kënaqur me ecurinë e procesit stërvitor dhe sipas asaj që konfirmon për gazetën zëvendëstrajneri Bekim Kuli, zhvillimi i seancave stërvitore ka qenë me ritëm të lartë.

silvio zogaj

“Ka disa ditë që kemi rinisur procesin stërvitor. Ka përkushtim në radhët e futbollistëve në marrjen e ngarkesës stërvitore dhe ky është një motiv plus që ata të jenë të përgatitur për ndeshjet e kampionatit”, shprehet Kuli për “Panorama Sport”.

Sipas zëvendëstrajnerit të krutanëve, ka të ngjarë që në ditët në vazhdim të ketë një grumbullim të skuadrës.

Ndërkohë, nga e hëna janë bashkuar në stërvitje lojtarët që kanë qenë me probleme fizike këtë periudhë. Bëhet fjalë për sulmuesin Spartak Ajazi dhe mesfushorin Xhuljo Mehmeti.

Gjendja e tyre paraqitet në përmirësim e sipër dhe ka të ngjarë që t’i bashkohen grupit së shpejti, në një kohë që për momentin po kryejnë stërvitje të diferencuar.

Ndërkohë, mësohet se sulmuesi Silvio Zogaj i është nënshtruar pak ditë më parë një operacioni në meniskun e gjurit.

Konfirmohet se rikthimi i lojtarit në skuadër do të bëhet në muajin e ardhshëm dhe ka gjasa që të riaftësohet në kohë.

MIQËSORJA – Konfirmohet miqësorja e parë për skuadrën krutane.

Përballë Kastriotit do të vihet sot Korabi i Peshkopisë, që aktualisht pozicionohet në vendin e tretë në renditjen e Kategorisë së Parë.

Ndeshja mes tyre do të zhvillohet në orën 15:00 në kompleksin e Kamzës. Të dy trajnerët do të kenë mundësinë të shohin nga afër gjendjen e futbollistëve që kanë në dispozicion.

Përballjet me skuadrën dibrane mungojnë qysh prej tri vitesh, ku skuadra krutane konkurronte në kampionatin e Kategorisë së Parë. Të dyja skuadrat po kalojnë momente pozitive në kampionatet respektive.

NDERIM GOCI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"