Trondit Muzaka, kapiteni mbyll sezonin. Skënderbeu i bën gati postin drejtues

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 11, 2019 | 21:52

Trondit Muzaka, kapiteni mbyll sezonin. Skënderbeu i bën gati postin drejtues

Nuk kanë fund lajmet e këqija për Gjergji Muzakën. Nëse fillimisht u mendua se dëmtimi mund ta linte jashtë deri në dhjetor dhe sigurisht që kjo gjë tronditi Skënderbeun, vizitat e fundit kanë rezultuar edhe më fatale.

Demtimi horror i Muzakes

Jo më larg se pak ditë më parë u tha se kapiteni kishte vetëm një zgjatje të ligamentit krociat në gjurin e djathtë, çka kishte shkaktuar edhe daljen fibulës nga pozicioni normal. Por, dje situata ka ndryshuar.

“Panorama Sport” mëson se mesfushori ka kryer edhe një tjetër kontroll të specializuar, por këtë herë te një ortoped. Dhe diagnoza ishte më e rëndë nga sa pritej. Tiranasi ka këputur totalisht ligamentin e kryqëzuar në gjurin e djathtë. Periudha që kërkon rikuperimi i një dëmtimi të tillë shkon deri në gjashtë muaj ose diçka më shumë se kaq. Dhe me kampionatin që mbyllet nga mesi i muajit maj, mund të themi që Muzaka e ka mbyllur këtu sezonin.

Muzaka

Operacioni

Lojtarit do t’i duhet që të kryejë operacion për riparimin e ligamentit dhe më pas të fillojë procesin e rehabilitimit. Gjë që kërkon kohë relativisht të gjatë dhe në kushte të tilla sezoni duket përfundimisht i mbyllur. 35- vjeçari nuk ka ecur fare, pasi më herët i është dashur që të kryejë edhe dy ndërhyrje të tjera në këmbë. E megjithatë, asgjë nuk duket e pamundur kur mendon se në të dyja rastet ka gjetur forca dhe është rikthyer më i fortë se kurrë.

Karriera

Ky dëmtim ka ardhur në një moment jo të favorshëm për Gjergj Muzakën. Sezoni nisi më shumë se mirë për të, ndërsa dëshmoi se është një “lider” për bardhekuqtë. E megjithatë, një shkëputje e gjatë mund ta fusë në mendime lojtarin për vijimin e karrierës. Me rikuperimin që kërkon më shumë se gjysmëviti kalendarik dhe moshën që nuk e ka në favor, mund të bëjnë që Gjergj Muzaka të vendosë ta mbyllë këtu me futbollin e luajtur. E megjithatë, kjo mbetet për t’u parë. Në fund të fundit, i takon vetë lojtarit që të reflektojë në lidhje me të ardhmen e tij.

Klubi

Duke i marrë në konsideratë të gjitha opsionet dhe mbi të gjitha kur njihen raportet e mira që kapiteni ka me drejtuesit e klubit, por jo vetëm, e sigurt është që e ardhmja e tiranasit do të jetë e lidhur ngushtë me këto ngjyra. Sido që të jetë vendimi i lojtarit për ta mbyllur ose jo me futbollin e luajtur, Skënderbeu do të jetë aty. Duke iu referuar burimeve të besueshme pranë klubit, gazeta mëson se klubi korçar do të ketë gjithnjë gati një vend në rolin e drejtuesit për mesfushorin ose edhe në stafin teknik. Një gjë e tillë do të jetë në shenjë falënderimi për kontributin e madh që mesfushori ka dhënë gjatë këtyre viteve për Skënderbeun.

LLAZI SARO

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"