Troisi “tradhton” Flamurtarin për Turbinën, reagon Idrizi: Nuk jemi “stan me lepuj”, tha se do shkojë në klub më të madh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 9, 2020 | 9:47

Troisi “tradhton” Flamurtarin për Turbinën, reagon Idrizi: Nuk jemi “stan me lepuj”, tha se do shkojë në klub më të madh

Edhe pse ishte konfir muar më parë në krye të stolit vlonjat, Marcelo Troisi është larguar në mënyrë të beftë nga Flamurtari. Braziliani kishte marrë “bekimin” e administratorit Sinan Idrizi për të ndërtuar ekipin e sezonit të ri dhe për të qëndruar në krye të skuadrës edhe në Kategorinë e Parë. Por, gjërat kanë marrë një rrjedhë tjetër në mënyrë krejt të papritur, atëherë kur askush nuk e mendonte. Marcelo Troisi i ka thënë administratorit të klubit se do të largohej, pasi kishte gjetur një ekip tjetër, por pa e zbuluar destinacionin e radhës. Paraditen e djeshme në klubin vlonjat janë habitur, teksa kanë mësuar se trajneri Troisi do të merrte drejtimin e Turbinës dhe do të linte Vlorën për Cërrikun.

troisi

LETRA – Burime pranë klubit të Flamurtarit bëjnë me dije për gazetën “Panorama Sport” se në postën elektronike të klubit kishte mbërritur një mesazh nga trajneri Marcelo Troisi. Braziliani, me anë të këtij mesazhi, ka falënderuar për bashkëpunimin klubin vlonjat dhe ka shkruar se do të largohej në një tjetër klub, ndërsa i ka uruar suksese Flamurtarit në vazhdim. Troisi kishte firmosur një kontratë 6-mujore me Flamurtarin, por me të drejtë rinovimi në mënyrë automatike edhe për 6 muaj të tjerë. Firma e Bruno Lipit te Turbina, një njohje e vjetër e trajnerit Troisi, duket se i parapriu edhe kalimit të brazilianit në Cërrik.

ADMINISTRATORI – Sinan Idrizi nuk e ka pritur mirë largimin e Marcelo Troisit, për shkak se dëshironte që bashkëpunimi me të të vijonte më gjatë. Kreu i klubit kuqezi tha dje për gazetën se trajneri nuk i kishte thënë ku do të shkonte dhe se kontratën e prishi vetë braziliani e jo klubi. Me këtë rast, administratori Idrizi jep edhe një mesazh për këdo që mendon se Flamurtari mund të jetë një klub, ku mund të ikësh dhe të vish si të duash. “Po, Troisi nuk do të jetë më trajner i Flamurtarit. Më tha se do të largohej drejt një klubi më të madh se Flamurtari, me një projekt më të mirë se yni dhe me paga më të larta. Nuk më tha se ku e kishte destinacionin.

Sinan-Idrizi

Duhet të dinë një gjë, Flamurtari nuk është ‘stan me lepuj’ që të bëjnë çfarë të duan këta. Sa trajnerë ka parë Flamurtari dhe sa do të shikojë në vazhdim… Respektojmë punën e çdo trajneri, por ama ne jemi Flamurtari. Troisi ishte profesionist, burrë i mirë e korrekt dhe bëri mirë te ne, do të doja ta vazhdoja bashkëpunimin me të, por më tha se ka gjetur një ekip me financa të shëndosha dhe me projekt të madh. Dakord, i uroj suksese! Ai me ne kishte një kontratë 6 muaj plus 6 muaj. Nuk e prishëm ne kontratën, e prishi vetë Troisi”, përfundon Idrizi.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"