Troisi: Qëndroj te Flamurtari dhe në Kategorinë e Parë, askush nuk luan në Europë me 10 skuadra

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 3, 2020 | 12:54

Troisi: Qëndroj te Flamurtari dhe në Kategorinë e Parë, askush nuk luan në Europë me 10 skuadra

Trajneri i Flamurtarit, Marcelo Troisi, nuk i beson krizës te Vllaznia. Sipas brazilianit, problemet financiare kundërshtari nuk do t’i reflektojë aspak në fushën e lojës. Në prononcimin për mediat në prag kësaj sfide të parë pas një ndërprerjeje të gjatë të kampionatit për shkak të “COVID-19”, Troisi thotë se ekipi është gati për start. Kreu i pankinës vlonjate i gëzohet faktit që nuk ka pasur dëmtime të lojtarëve gjatë kësaj kohe.
Troisi

“Ekipi ka zhvilluar për 14 ditë stërvitje dhe përgatitje. Mund të themi se jemi gati, referuar përgatitjeve që kemi arritur që të bëjmë. Nuk kemi pasur probleme të mëdha me dëmtimet dhe fatmirësisht kemi një situatë të mirë. Duhet që të përballemi me Vllazninë në një ndeshje të vështirë përballë një skuadre të mirë, por ne do të kërkojmë një rezultat pozitiv. Skuadra ka nisur fillimisht përgatitjet me trajnerin Resuli, ndërsa këto ditë jemi munduar që të marrim më të mirën nga lojtarët. Nuk e besoj situatën tek ekipi kundërshtar, për atë çfarë është folur për problematikën e tyre me pagat. Nuk e besoj aspak. Nuk duhet të mendojmë që diçka e tillë ndikon te Vllaznia. Nuk është folur aspak që kjo situatë do të ketë lidhje me fushën e blertë”, tha fillimisht Troisi.

MBIJETESA – Marcelo Troisi thotë se Flamurtari do të luajë deri në fund për ta respektuar garën. Braziliani thekson se nuk do t’ia dijë se çfarë bëjnë të tjerët, ndërsa pranon se ka qenë një sezon i vështirë dhe me gabime nga ekipi që drejton. “Ne do të luajmë për veten tonë. Do të respektojmë kampionatin deri në fund. Jemi në vend të fundit në renditje, por kjo nuk do të thotë asgjë. Ne do të luajmë futboll për të marrë rezultat, pavarësisht kundërshtarit që do të kemi përballë. Nuk mendojmë aspak se çfarë bëjnë të tjerët. Ky sezon ishte i vështirë, me gabime nga Flamurtari dhe këtë e kemi pranuar, por le të luajmë deri në fund dhe fusha të përcaktojë verdiktet e veta”, tha Troisi.

E ARDHMJA – Trajneri brazilian Marcelo Troisi, duke folur për të ardhmen, lë të kuptohet se do të dëshironte të qëndronte te Flamurtari edhe në Kategorinë e Parë, por kjo u përket drejtuesve që ta vendosin. “Unë jam këtu te Flamurtari në Superiore. Edhe nëse zbresim në Kategori të Parë, unë jam te Flamurtari. Pastaj është presidenti ai që vendos”, u shpreh braziliani.

FORMULA – Marcelo Troisi shprehet edhe një herë pro ndryshimit të skemës së këtij kampionati. Sipas teknikut të vlonjatëve, ka ardhur koha që Kategoria Superiore të ketë 14 ekipe. “Shpresoj të ndodhë ndryshimi i formulës së kampionatit dhe Superiorja të jetë me 14 ekipe. Asnjë kampionat në Europë nuk luhet më me 10 skuadra, si këtu në Shqipëri. Ndaj, them që duhet të ndryshojë edhe Superiorja shqiptare, të bëhet me 14 skuadra”, përfundon Troisi

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"