Triumfuan ndaj Pogradecit, Brdariç: Çdo fitore na bën mirë, prisja më tepër…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 4, 2021 | 11:42

Triumfuan ndaj Pogradecit, Brdariç: Çdo fitore na bën mirë, prisja më tepër…

Tomas Brdariç ka qëndruar në këmbë gjatë gjithë ndeshjes së djeshme, duke kërkuar maksimumin nga skuadra. Në intervistë për “Panorama Sport” pas takimit në Pogradec, trajneri i Vllaznisë foli për momentin që po kalon ekipi, si dhe ndeshjen e radhës në kampionat.

brdaric 1

Tomas, fituat pastër ndaj Pogradecit në ndeshjen e parë. Çfarë ju kënaq më tepër, rezultati apo loja?

Unë mendoj se është njëlloj si të luash në Kupë, ashtu edhe në kampionat. Në Kupë duhet përqendrim edhe më i madh, pasi sot (dje) luajtëm në një fushë të vështirë. E kemi nisur mirë, por duhet të ishim treguar më të zgjuar në vazhdimin e lojës. Duhet të kishim shënuar edhe gola të tjerë.

Në kampionat vini pas dy humbjesh radhazi, ndiheni nën presion?

Jo, pse në presion?! Kur shikon vetëm rezultatin, është e thjeshtë. Në të dyja ndeshjet me Kukësin dhe Tiranës ne kemi qenë afër edhe për fitore. Gjithsesi, duhet të mbrohemi mirë dhe me shumë kujdes, pasi nuk mjafton vetëm faza sulmuese. Të dyja fazat e lojës janë të rëndësishme shumë, por kemi lojtarë të rinj që nuk duhet të jenë nën presion. Ata duhet të luajnë të qetë.

Si e shikoni këtë Vllazni në krahasim me sezonin e kaluar?

Jetojmë me të tashmen. Sezoni i kaluar u mbyll më së miri nga ana jonë, pasi askush nuk na shihte në letër si pretendentë. Duhet të përpiqemi për më shumë në vazhdim.

Kjo ndeshje e Kupës ishte si një moment frymëmarrjeje para Egnatias?

Çdo fitore na bën mirë, qoftë edhe në Kupë. E dimë se si duhet ta trajtojmë atë ndeshje, pasi kundërshtari po kalon moment të mirë. Të hënën na pret një luftë tjetër.

R.XINXIFI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"