Triumfuan ndaj Egnatias, flet trajneri i Besëlidhjes: Përballuan presionin, gati edhe një surprizë në merkato

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 30, 2021 | 22:46

Triumfuan ndaj Egnatias, flet trajneri i Besëlidhjes: Përballuan presionin, gati edhe një surprizë në merkato

Alban Bruka krenohet me Besëlidhjen. Miqësorja e fundit e ka kënaqur në të gjitha drejtimet, aq sa ka lavdëruar titullarët dhe rezervat. Skuadrën e sheh gati për startin, por merkaton nuk e quan ende të mbyllur. Trajneri paralajmëron edhe një goditje të fundit, para se të nisin luftën për kreun e Kategorisë së Parë. Gjatë një deklarate të dhënë pas ndeshjes, numri një i pankinës lezhjane tha:

alban bruka

“Ekipi nga dita në ditë ka avancuar shumë në të gjitha pikëpamjet, kjo është pozitive. E kemi pasqyruar këtë në të gjitha miqësoret e zhvilluara. Tashmë formatimi i ekipit është bërë, por kjo nuk do të thotë se është mbyllur merkatoja. Mund të kemi ndonjë afrim surprizë të minutës së fundit.

Në ndeshjen ndaj Egnatias, ekipi ishte në lartësinë e duhur. Reagoi mjaft mirë ndaj presionit të rrogozhinasve, të cilët tashmë do të luftojnë mes 10 më të mirave të elitës. Të gjithë futbollistët ishin në nivelin e kërkuar, përfshi edhe ata të stolit. Përveç formatimit të një ekipi solid, cilësor dhe konkurrues, ne po punojmë edhe për formatimin e një stoli cilësor, pasi pa të nuk mund të pretendojmë kreun në një konkurrencë tepër të ashpër që na pret”.

Sakaq, Gugash Magani nuk preferoi të prononcohej. Trajneri i Egnatias i shmangu deklaratat pas kësaj miqësoreje

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"