Triumfuan kundër Venecias, Pioli: Punojmë për fitoren, Leao është shkatërrimtar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 23, 2021 | 14:41

Triumfuan kundër Venecias, Pioli: Punojmë për fitoren, Leao është shkatërrimtar

Zgjedhjet fillestare nuk e shpërblyen, por diti të korrigjonte në kohë skuadrën duke e drejtuar te fitorja e radhës në kampionat. Stefano Pioli në konferencën për shtyp bëri analizën e suksesit të djeshëm duke i njohur meritat skuadrës, por njëkohësisht duke treguar se ka ende vend për shumë përmirësim.

Pioli

ZËVENDËSIMET – “Jam i kënaqur për mundësinë e pesë zëvendësimeve. Fundja nuk kishte kuptim të grumbulloje 23 lojtarë e të të lejoheshin tri ndryshime. Kam fatin që kam një grup të gatshëm në fizikisht, por sidomos mendërisht. Më pëlqyen edhe në pjesën e parë”.

DIAZI – “Është një djalë që ka shumë besim në vetvete, por njëkohësisht kishte nevojë për pak ambientim me një kampionat të ri. Ai është fantazist me cilësi të pastra dhe u kthye te Milani me shumë kënaqësi. Më vjen mirë që po merr rezultatet e punës së tij”.

LEAO – “Më besoni kur ju them se nuk ka gjë më të bukur se kur lojtarët kthehen nga pushimet të përmirësuar e të bindur. Rafaeli është njëri prej tyre. Të mos harrojmë se janë 20-vjeçarë, por nga ana tjetër më vjen mirë që Diaz, Leao apo Tonali kanë një mendësi tjetër aktualisht. Leao është shumë i fortë dhe mund të na ndihmojë të fitojmë çdo ndeshje sepse driblimet e tij janë të frikshme”.

KONKURRENCA – “Kam një skuadër të fortë, por nuk e krahasoj dot me rivalet. Ka ekipe që kanë më shumë përvojë se ne, aq më tepër që në skuadër nuk kam lojtarë të mësuar me trofe. Fatmirësisht, organika është e numërt dhe mund të përballojmë më me qetësi sfidat me Specian, Atletikon, por edhe Atalantën. Se kush do të jetë më i fortë se ne do ta thotë fusha”.

TITULLI – “Teo flet për titull dhe bën mirë. Duhet të përfitojmë nga aspektet pozitive të ecurisë sonë. Jemi një ekip cilësor, por duhet të vijojmë të tregojmë çdo ndeshje se sa vlejmë. Të gjithë kanë dëshirë për sukses, por diferencën e bën ai ekip që punon më tepër. Nëse djemtë e mi mendojnë se mund të shpallen kampionë, atëherë le të punojnë fort sepse vetëm kështu arrihet suksesi”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"