Triumfi spektakolar, përuljuni “djallëzorit” Hansi Flik

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 24, 2020 | 21:57

Triumfi spektakolar, përuljuni “djallëzorit” Hansi Flik

Bajerni është në qiellin e shtatë! Të gjithë në gjunjë pas vërshëllimës së fundit të arbitrit italian, Orsato. Është Champions-i i gjashtë në histori, tripleta e dytë. Çfarë duhet më shumë për të qenë në majë? Të gjithë festojnë, me meritë. Regjisori kryesor i këtij filmi perfekt gjerman është edhe Hansi Flik.

Flik

Shumë pak mund ta mendonin një fund të tillë për bavarezët në muajin nëntor. Por Flik ishte i vetmi që besoi se ky Bajern mund të bëjë më shumë. Tani suksesi është vetëm i tiji. Një mendje brilante, një karakter fituesi, Hansi ka fituar zemrat e gjithë botës së sportit. Taktikisht kishte rreshtuar një skuadër perfekte në fushën e lojës. Teksa instinktivisht besoi te francezi Kinglsei Koman që në ndeshje me Barcelonën dhe Lionin nisi ndeshjen nga stoli. “I njoh mirë francezët”, tha djaloshi që kishte luajtur më parë me PSGnë.

Ndërkohë, Flik u tregua diplomat kur tha se në sfida të tilla kërkonte edhe pak fatin në krahun e tij. Edhe pse nuk e kishte menduar se fatin e kishte në portë, ai ishte Manuel Nojer. Kapiteni, lojtari më besnik. Fati ishte me Flikun dhe skuadrën e tij, e cila kishte bërë gjithçka për ta merituar atë në anën e saj, gjithçka. Asgjë e vjedhur. Tani Hansi Flik ka shënuar emrin e tij në librin e historisë bavareze e cila është e mbushur me lavdi. Bekenbuaer, Hejnkes, Hitcfeld dhe tani Flik. Të gjithë djem shtëpie që dinë se si mund të sjellin gëzim në shtëpinë e tyre. Në shtëpinë e madhe bavareze që këtë herë duhet t’i përulet atij, “djallëzorit” Hansi Flik.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"