Triumfi në transfertë, Hyseni: Kishim një lloj droje, por Besa sfidoi… largimet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 25, 2022 | 21:58

Triumfi në transfertë, Hyseni: Kishim një lloj droje, por Besa sfidoi… largimet

Pas 7 largimeve “big”, u krijua një ide se Besa do të dobësohej. Ishte kjo arsyeja që takimi në Cërrik u prit me aq interes. Të gjithë donin të shihnin nëse grupi i mbetur do të përballonte Turbinën… Jo vetëm që surprizoi për mirë, por mori edhe pikët e plota.

hyseni

Ishte beratasi Erald Hyseni i cili shënoi golin e fitores, që i jep shpresë për vazhdimësinë. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, mesfushori na tregon se si vepruan në këtë transfertë dhe porositë që dha trajneri.

“Jo vetëm tifozët, por edhe ne futbollistët kishim një lloj droje pas largimeve të shumta. Trajneri na kërkoi të kishim besim dhe të vraponim sa më shumë. Vërtet përvojë nuk kishte në fushë, por ishte shtuar freskia fizike. Luajtëm të bashkuar dhe ku të tria repartet qëndruan e ndihmuan njëra-tjetrin. Zhvilluam një lojë me shpirt dhe besim deri në fund.

Mbajmë veshur një fanellë që i tremb disi kundërshtarët, aq sa edhe i motivon. Për mua ishte një fitore që na dha më shumë moral. Tani duhet të bëjmë të njëjtën paraqitje edhe me Pogradecin në Kavajë. Na presin 3 ndeshje të vështira, prandaj ta ‘harrojmë’ Turbinën. Golin dua t’ia dedikoj babait. U habita kur e pashë në stadium, pasi sapo ka kaluar COVID-in. Prandaj kur shënova, nuk shkova si përherë te stoli, por në tribunë”, përfundoi Hyseni.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"