Triumfi në Shkodër, drejtori Rama: Tri pikë të arta, por pres një Partizan më… bindës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 20, 2019 | 17:17

Triumfi në Shkodër, drejtori Rama: Tri pikë të arta, por pres një Partizan më… bindës

Olsi Rama e ka shijuar këtë fitore, e cila ishte e para që ai përjetonte në “Loro Boriçi” si drejtues i Partizanit.

olsi-rama-copy

Priste më shumë tifozë në stadium, e megjithatë në kompleks ka mbetur më shumë se i kënaqur për këtë trepikësh. Gjatë një interviste të dhënë për “Panorama Sport”, drejtori i përgjithshëm i të kuqve ka evidentuar se skuadra mund të bënte shumë më shumë, megjithatë pas kësaj ndeshjeje pret që të vijë edhe qetësia në renditje.

Sa e rëndësishme ishte kjo fitore në Shkodër?

Normalisht që është një fitore me shumë rëndësi për ne. Për më tepër e para që kam shijuar edhe unë në Shkodër që prej kohës që jam në krye të Partizanit. Një stadium i mbushur, pavarësisht se unë prisja që të ishin edhe më shumë tifozë. Më vjen mirë edhe për Vllazninë që është këtu ku është, se është një skuadër shumë e mirë këtë sezon.

E mendonit që do të shkonte kështu ky takim apo edhe barazimi do të ishte i pranishëm?

Sigurisht që ne kishim ardhur për tri pikë. Pastaj se si do të shkonte ndeshja kjo është punë tjetër. Ishte një fitore që me të vërtetë na ka kënaqur shumë në këto momente.

Tani që jeni më “i ftohtë”, mendoni se e merituat fitoren?

Partizani për mendimin tim duhet të bëjë përsëri më shumë. Duhet që të ishte më bindës në këtë fitore dhe që të duartrokitet nga çdo publik. Ishte një fitore e çmuar, por përsëri jam i mendimit që duhet të kishim bërë më të mirën në fushën e lojës.

Biseduat diçka me Voltana Ademin?

Jo. Vetëm sa e përshëndeta atë, por edhe drejtorin sportiv që ishin në tribunën VIP. Në sport nuk bëhet fjalë për politikë.

Mund të shërbejë ky triumf si pikë kthese edhe në renditje?

E thashë, është trepikësh shumë i rëndësishëm në këtë moment. Ne kërkojmë që me lojë e pikë të gjejmë edhe qetësinë e renditjes. Çdo fitore të ndihmon që të shkosh përpara.

A.Uruçi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"