Triumfi ndaj Pogradecit, Ze Maria: Nuk më intereson Bylisi, dua që Tirana t’i ngjajë Interit tim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 12, 2018 | 9:56

Triumfi ndaj Pogradecit, Ze Maria: Nuk më intereson Bylisi, dua që Tirana t’i ngjajë Interit tim

Ze Maria i gëzohet fitores, megjithatë “qan” gabimin e sekondave të para, që për pak mund t’i ndëshkonte. Trajneri i Tiranës e parashikon jo të lehtë garën në 7 javët e mbetura, megjithatë në fund ai hapur e thotë që nuk i interesojnë rivalët. Braziliani, gjatë intervistës së dhënë për “TVSH” pas ndeshjes, zbuloi arsyet se përse la jashtë Turtullin dhe foli për 110- vjetorin e Interit.

ze maria

Tjetër fitore ndaj Pogradecit, ishte e lehtë?

E lehtë jo, gjërat bëhen të lehta kur të gjithë japin në fushë 100% e tyre. Dhe këtë e bëri skuadra ime në fushë, ku të gjithë u impenjuan në maksimum për ta fituar këtë takim. Ishim pak nervozë në start, pas pak sekondash i dhuruam një rast kundërshtarit, por për fat ishte i zoti Lika. Për fat nuk u ndëshkuam dhe kjo na dha mundësi që të bënin lojën tonë dhe të merrnim një tjetër trepikësh drejt objektivit final.

Turtulli nuk ishte i grumbulluar, ndërsa Musën e latë në stol. Mos ndoshta donit të eksperimentonit me dyshen Bishaj-Cake në qendër të mbrojtjes?

Turtulli nuk ka asnjë problem, ishte vetëm një zgjedhje teknike, të cilën e bëra unë. Bishaj luajti shumë mirë, ndërsa Musa nuk është në gjendjen e tij më të mirë fizike dhe teknike, ndaj mendova që përkrah Cakes të zgjidhja Bishajn. Dhe u përshtat më së miri dhe rrezikoi shumë pak. Kjo dëshmon se kemi lojtarë cilësorë në këtë grup dhe gjithsecili mund të luajë.

Si e parashikoni luftën në “play off” deri në fund, do të jetë e vështirë apo e shihni Tiranën të shkëputur?

Nga këtu e deri në fund kemi edhe 7 ndeshje për të luajtur. Janë javë të rëndësishme dhe nuk ekziston asnjë kundërshtar i lehtë dhe për më tepër kundër Tiranës, kur të gjithë duan të na mposhtin. Kjo na ka shoqëruar gjatë gjithë kampionatit, ndaj nuk mendoj se diçka do të ndryshojë tani. Duhet të vazhdojmë rrugën tonë, duhen fituar që të gjitha përballjet për të arritur objektivin tonë, që është ngjitja në Kategorinë Superiore.

Të largohemi pak nga Shqipëria dhe të flasim për 110- vjetorin e Interit…

Jam shumë i lumtur që edhe unë jam pjesë e historisë së atij klubi dhe është një shoqëri e rëndë- sishme, jo vetëm në Europë, por edhe në botë. Në ato dy vite si zikaltër, 4 trofe ishin realisht të rëndësishëm për mua. Edhe pse kalova asokohe një dëmtim në sezonin e dytë, që më pengoi që të luaja, mendoj se vetëm që të veshësh atë fanellë, të bën të ndihesh special. Dhe kot nuk thonë që është “e çmendur”, e tillë është brenda dhe jashtë fushe. Ndaj i uroj këtij klubi edhe 110 vite të tjera.

I ngjan Interi i sotëm, Interit tuaj?

Jo, është disi ndryshe, futbolli në fakt është ndryshe, pasi në atë skuadër ishin gati dy kampionë për çdo pozicion, kjo është diferenca. Bënim kampionë kudo që luanim, ndaj pres të njëjtën gjë edhe me Tiranën time. U them djemve që pak rëndësi ka kë kemi përballë apo ku po luajmë, por duhet të shkojmë për të fituar. Atëherë ishim Interi, ndaj edhe tani dua që Tirana të tregojë kush është Tirana. Me këtë mentalitet luanim ne, ndaj këtë dua t’u injektoj edhe futbollistëve të mi.

Bylisi vazhdon t’ju ndjekë hap pas hapi…

Nuk më intereson shumë sesi doli ndjekësi. Mua më intereson ekipi im dhe tri pikët e çdo ndeshjeje. Është shpejt për të menduar për përplasjet direkte me rivalin e vendit të dytë. Ne marrim ndeshjet një nga një. Në lojë do të jenë futbollistët që kanë gjendjen më të mirë. Nuk kemi kohë dhe mundësi për eksperimente dhe rrotacione të panevojshme.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"