Triumfi ndaj Pogradecit, Devolli: E nisëm mbarë, por Tomorin tim do e shihni me Besën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 17, 2018 | 17:42

Triumfi ndaj Pogradecit, Devolli: E nisëm mbarë, por Tomorin tim do e shihni me Besën

Bledar Devolli e nisi më së miri aventurën në krye në Berat. Një gol i Kingsley u ka mjaftuar në Pogradec, që veç trepikëshit u shërben edhe për moral. Në një prononcim të dhënë enkas për “Panorama Sport”, trajneri i ri Tomorit është shfaqur i kënaqur për rezultatin, por jo për lojën. “Fitorja më gëzon më shumë se loja e zhvilluar. Skuadra ka probleme sa i përket rrjedhshmërisë së lojës dhe nuk arrin të bëjë kombinime të sakta.

Devolli

Daljet përpara janë me pikatore dhe ato pak raste sërish nuk i shfrytëzojmë siç duhet. Megjithatë, ajo që kam vënë re është se në skuadër ka lojtarë cilësorë dhe që mund t’ia dalin për të arritur objektivat. Tani më duhen vetëm rezultatet për të bërë shkëputjen në tabelën e klasifikimit. Lojën do ta përmirësojmë gradualisht, duke filluar që nga kjo javë. Kam marrë sinjale pozitive nga ky grup dhe ajo që më ngelet është të bëj një punë të mirë për të rritur rendimentin e lojës.

Në Pogradec vuajtëm shumë për të mbrojtur avantazhin. Kjo është ajo që më duhet në çdo përballje, pasi duhet të mësojmë të vuajmë për të mbajtur rezultatin në favorin tonë. Ky grup është i fortë dhe duhet të bëjmë kujdes ndaj çdo rivali. Kemi një skuadër për t’u admiruar, mirëpo duhet të ulim kokën dhe të punojmë fort.

Vetëm duke ulur kokën dhe duke qëndruar me këmbë në tokë, mund të dalim me kokën lart nga çdo përballje. Besa është një emër i madh dhe duhet vlerësuar maksimalisht. Ata kanë objektivat e tyre dhe do të luajnë për atë që synojnë. Këtë javë do të duket Tomori im. Do të synojmë fitoren përballë tifozëve tanë dhe duhet ta realizojmë në çdo mënyrë. Për këtë nuk ka justifikime. Sot (dje) unë do të ndjek ndeshjen e kavajasve ndaj Apolonisë dhe do të studioj me kujdes pikat e tyre të dobëta”, përfundoi Devolli.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"