“Triumfi ndaj Partizanit na jep besim”, Beqja: Me Laçin duam tre pikët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 30, 2023 | 11:35

“Triumfi ndaj Partizanit na jep besim”, Beqja: Me Laçin duam tre pikët

Teuta është “e dënuar” të fitojë ndaj Laçit, pasi kërkon me çdo kusht të ruajë ecurinë e mirë të javëve të fundit. Mesfushori i Teutës, Ledjo Beqja, në intervistën për “Panorama Sport”, para ndeshjes së javës së 19- të ndaj Laçit në shtëpinë e kurbinasve duke nisur nga ora 13:00, u shfaq optimist, teksa theksoi se duhet dhënë maksimumi në këtë ndeshje për të dëshmuar se skuadra ka forcën të jetë e qëndrueshme.

ledjo beqja

Ndiheni më të fortë pas asaj fitoreje me Partizanin?

Pas asaj fitoreje, normal që morali është më i lartë. Ekipi është gati dhe jemi më të motivuar. Sigurisht që këtë javë është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne, për vetë faktin se duhet të fitojmë dhe të jemi brenda objektivave.

Sa e motivuar është skuadra për të siguruar vazhdimësinë?

Skuadra ka qenë gjithmonë shumë e motivuar, por patjetër që rezultatet e mira sjellin edhe një gjendje më të mirë psikologjike, por nuk na mbetet gjë tjetër, përveçse të vijojmë me këtë lojë të mirë dhe marrjen e rezultateve pozitive të njëpasnjëshme.

Çfarë ndeshjeje prisni ndaj kurbinasve?

Normale që është një sfidë e vështirë, por për ne është ndeshja e radhës. Pa humbur respektin për kundërshtarin, ne jemi Teuta dhe duhet t’i fitojmë ndeshjet, sepse kemi si synim për të fituar këtë duel dhe shpresoj që t’ia dalim mbanë.

Laçi ka bërë disa ndryshime, si ju duket në këto javë të fundit?

Jemi të vetëdijshëm se janë një skuadër që ka bërë mirë, janë të fortë dhe kanë në përbërje emra me peshë në vitet e fundit në futbollin tonë. Por ne kemi objektivat tanë dhe do të synojmë më të mirën.

Deri ku mund të shkojë kjo skuadër në këtë sezon?

Jemi ende herët për të dalë në përfundime se çfarë mund të bëjmë deri në fund të sezonit. Tani nisi faza e ndeshjeve më të vështira të kampionatit, por unë mendoj se do t’i arrijmë ato objektiva që kemi, pasi janë shumë ndeshje përpara. Nesër na pret një ndeshje shumë e luftuar dhe e vështirë me Laçin. Shpresoj që në fund të festojmë ne.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"