Triumfi ndaj Partizanit, Deliu: Prisni një Laç më të fortë, këtë vit duam Kupën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 17, 2019 | 15:35

Triumfi ndaj Partizanit, Deliu: Prisni një Laç më të fortë, këtë vit duam Kupën

Laçi gjeti më në fund kthesën dhe tashmë janë më të etur se kurrë për të pasur vazhdimësi. Trepikëshi ndaj Partizanit ka shtuar moralin dhe tashmë që të gjithë janë të bindur se nuk do të ndalen më.

Ardit Deliu

I këtij mendimi është edhe Ardit Deliu, mesfushori 21- vjeçar i bardhezinjve. Gjatë një interviste të dhënë për “Panorama Sport”, ai analizon javët e para dhe paralajmëron se skuadra tani do të jetë më e fortë.

Më në fund erdhi fitorja e parë. Jeni më të qetë?

Pas disa ndeshjeve ku kemi hasur vështirësi dhe kemi lënë pikë, erdhi edhe fitorja. Ky trepikësh ishte shumë i rëndësishëm edhe për moralin.

Çfarë ka ndryshuar te skuadra në krahasim me tri përballjet e para?

Po le të themi se shumë pak gjëra kanë ndryshuar, i kemi qëndruar besnik mënyrës sonë të të luajturit. Edhe pse ndeshjet e para nuk kanë shkuar siç duhet, prapa kemi besuar te filozofia e trajnerit dhe jemi munduar të përmirësojmë disa gabime.

Ndryshimet e shumta në organikë a kanë ndikuar te javët e para?

Këtë verë u ndryshua pothuajse gjysma e skuadrës, u larguan rreth 15 lojtarë dhe sigurisht që nuk është pak. Normalisht duhet pak kohë përshtatje dhe harmonizimi midis lojtarëve, por besoj se 4 ndeshje na kanë shërbyer dhe në vazhdim do jemi akoma dhe më të fortë.

Nesër luani me Elbasanin për kupë dhe në fundjavë me Flamurtarin. Si i shikoni këto dy ndeshje?

Të mërkurën fillon kupa, që siç dihet për Laçin është shumë e rëndësishme, pasi është një kompeticion që çdo vit luftojmë për t’i shkuar deri në fund. Elbasani, edhe pse një kategori më poshtë, është një ekip për t’u respektuar. Do shkojmë atje, sigurisht për të bërë detyrën dhe normalisht për të fituar. Për sa i përket Flamurtarit, edhe pse kanë pasur vështirësi në këtë fillimsezoni, mendoj se nuk duhet të shkojmë atje “euforikë”, por duhet të jemi me këmbë në tokë, sepse na pret një ndeshje e vështirë, nga e cila duhet të marrim maksimumin dhe të vazhdojmë ngjitjen në tabelë.

Drejtuesit kanë shpallur në fillim të sezonit pretendimet për titullin. Mendoni se jeni gati për një objektiv të tillë?

Laçi ka një kontingjent shumë të mirë futbollistësh, me djem të rinj që japin gjithmonë maksimumin dhe luajnë çdo ndeshje për fitore. Ne do i marrim takimet me radhë dhe gjatë rrugës do shihet cili është për titull.

Krahas objektivave të klubit, a ka Deliu një objektiv personal?

Për momentin objektivi është të jap maksimumin sa herë të jem në fushën e lojës, të bëj mirë. Shpresoj që të jetë një vit i mbarë si nga ana personale, gjithashtu dhe e klubit.

Bujar Balliu – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"