“Triumf”, Andi Lila promovon librin e tij autobiografik për karrierën e suksesshme në fushat e lojës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 25, 2022 | 20:11

“Triumf”, Andi Lila promovon librin e tij autobiografik për karrierën e suksesshme në fushat e lojës

Dita e djeshme ka qenë speciale për Andi Lilën. Ish-lojtari i Kombëtares ka promovuar librin autobiografik të titulluar “Triumf” dhe gjithashtu me këtë ceremoni ka lënë edhe zyrtarisht futbollin e luajtur. Një libër, i cili sjell gjithë jetën e Lilës si futbollist, me histori nga më të ndryshmet që në hapat e parë dhe të gjitha përvojat personale që janë lidhje me futbollin.

lila

POSTIMI I LILËS PËR LIBRIN “TRIUMF”- Se çfarë trajton ky libër e ka shpjeguar edhe vetë Andi në një postim që ka bërë në rrjetet sociale: “TRIUMF”, sot nuk kam fjalë të përshkruaj atë që ndiej. Gjithë jeta ime si futbollist, karriera ime si sportist më shfaqet përpara si në një pasqyrë. Më vijnë përpara edhe familjarët, miqtë, njerëzit e afërm, më vijnë përpara edhe tifozët, zemra dhe shpirti i sportit. Unë nuk kam bërë një traktat filozofik, unë nuk kam bërë një libër artistik, as një libër sociologjie apo kulture.

Unë nuk jam as shkrimtar, ndonëse më pëlqen letërsia, as teoricien, as historian. Unë kam bërë një libër, që besoj do të jetë i pari dhe i fundit imi, si një autobiografi imja në futboll, në jetën time profesionale. Kam dashur ta mbyll karrierën time si futbollist pa zhurmë, pa shfaqje të mëdha në stadiume, pa ndeshje bamirësie apo spektakle madhështore. Kam dashur ta mbyll paqësisht, në një takim me ata që më kanë mbështetur.

Kam dashur të bëj një libër për të treguar sfidat, luftën e madhe, punën, fitoret dhe vuajtjet, kënaqësitë dhe dhimbjet e mia, jo thjesht si një përvojë personale, por si diçka që tregon për futbollin, për kampionatin tonë, për ekipin kombëtar, për sfidat në Serinë A, në kampionatin grek, etj. Ky është një libër që miqtë, të afërmit, njerëzit e sportit të mund ta lexojnë si një copë historie nga futbolli, jo thjesht si një përvojë timen. Kam dashur që familjarët dhe fëmijët e mi ta kenë atë libër në duar dhe ta lexojnë si një akt përkushtimi ndaj punës, sportit dhe vendit”, shkruan Lila.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"