Tris çmimesh për Benzemanë: Nuk kam ndërmend të ndalem

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 29, 2022 | 23:12

Tris çmimesh për Benzemanë: Nuk kam ndërmend të ndalem

Kapiteni i Realit të Madridit, Karim Benzema, vijon të grumbullojë trofe pas trofeu. Të mërkurën ai ka shtuar dhe tri çmime të tjera në stendat e muzeut personal. Në ceremoninë e çmimeve të dhëna nga gazeta “Marca”, sulmuesi 34- vjeçar ka fituar tri çmime për sezonin 2021-2022:

benzema

“Trofeo Pichichi” që jepet për golashënuesin më të mirë në La Liga, “Trofeo di Stefano” që jepet për lojtarin më të mirë të sezonit dhe “Trofeun e tifozëve”, si lojtari më i votuar nga tifozët. Karim Benzema ka qenë i pranishëm në mbrëmjen festive të organizuar nga gazeta spanjolle, duke dhënë edhe përshtypjet e para, por dhe objektivat e tij në sezonin e ri. “Të them të drejtën jam i lumtur për të tre trofetë e fituar. Secili ka vlerë të jashtëzakonshme për mua, pasi në fund tregon se kam bërë një punë të mirë dhe ajo është vlerësuar.

Të shpallesh lojtari më i mirë dhe golashënuesi më i mirë në La Liga është një privilegj. Këta janë trofe apo çmime që çdo lojtar i ëndërron, ndaj ndihem i nderuar. Por nga ana tjetër, këto çmime janë një shtysë për të vijuar të fitoj. Nuk dua të mjaftohem më kaq, dua të fitoj sërish”, ka thënë Benzema. Francezi u shpall golashënuesi më i mirë në sezonin e kaluar me 27 gola në La Liga në 32 takime të luajtura. Ai shënoi mesatarisht 0.84 gola për ndeshje.

GATI PËR OSASUNËN – Përtej çmimeve të fituara, Benzema u ka dërguar një mesazh mjaft të këndshëm edhe tifozëve të Realit. Pas afro një muaji mungesë, si pasojë e një dëmtimi, kapiteni pritet të kthehet në fushë në takimin e së dielës në “Bernabeu” kundër Osasunës. “Jam mirë, nuk kam më asnjë shqetësim. Jam bashkuar në stërvitje me shokët e skuadrës dhe shpresoj të jem në fushë në takimin e së dielës. Gjatë kësaj kohe kam bërë një punë të madhe fizike dhe ndihem mjaft mirë”, ka thënë Benzema.

MARSHIMI – Të gjithë kishin pikëpyetje në lidhje me ecurinë e Realit në mungesë të Karim Benzemasë. Por edhe pa kapitenin në fushë, “Los Blancos” i kanë fituar të gjitha takimet. Benzema ka analizuar ecurinë e skuadrës, duke vlerësuar punën e bërë nga shokët e ekipit. “E kam ndjekur skuadrën dhe e kam parë në një formë shumë të mirë. Kemi qenë thuajse perfektë. E kam shijuar çdo ndeshje sikur të kisha qenë edhe vetë në fushë. Kemi një skuadër të shkëlqyer, por në fakt janë dy ekipe në një. Tani shoh se nuk ka më diferenca mes atyre që konsiderohen titullarë dhe atyre që e nisin takimin nga stoli”, shtoi Benzema.

KALENDARI I ÇMENDUR – Benzema ka komentuar dhe kalendarin e ferrit që pret Realin duke nisur nga ndeshja e së dielës në La Liga kundër Osasunës. Që nga 2 tetori e deri në ndaljen e aktiviteteve për shkak të kampionatit botëror në Katar, Reali do të luajë 12 takime, mes të cilave 8 në La Liga dhe 4 në Ligën e Kampioneve.

“Kalendari është i ngjeshur, por nuk është se kemi gjë në dorë për ta ndryshuar. Ne duhet të vijojmë me ritmin e deritanishëm. Në mendjen tonë e kemi të fiksuar se duhet të fitojmë çdo ndeshje, sepse të gjitha janë të vlefshme, të rëndësishme. Mos harroni se të gjithë duan të na mundin, por ne nuk do të ndalemi”, komentoi Benzema.

Përgatiti: LEDJO SEFERKOLLI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"