“Tripletë” ndaj Juves, lideri Strakosha udhëheq lacialët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 11, 2019 | 11:39

“Tripletë” ndaj Juves, lideri Strakosha udhëheq lacialët

“Tripletë” ndaj Juves, lideri Strakosha udhëheq lacialët Lacio i shkaktoi Juventusit humbjen e parë këtë edicion dhe siguroi për vete 3 pikë të arta që e rifusin në vallen e skuadrave që mund të ëndërrojnë titullin kampion në Itali. Nëse shikon tabelën e ndeshjes, Kristiano Ronaldo u përmbys me tre gola nga ana e Luiz Felipes, Milinkoviç Saviç si dhe Kaisedos.

strakosha

Imobile u bë gjithashtu protagonist në atë ndeshje me penalltinë e humbur. Mirëpo, atë që nuk e tregon skeda e ndeshjes, e shfaq qartë përmbledhja e rasteve më të rrezikshme të takimit. Në këto të fundit, vihet re edhe një tripletë e një heroi të heshtur. Portieri Thomas Strakosha po bëhet gjithnjë e më shumë prezent në ecurinë e Lacios.

lacio

TRIPLETA 

Dihet që në shumicën e rasteve, kur skuadra shënon shumë gola, paraqitja e portierit kalon shpesh pa vëmendjen e duhur. Po, sepse goli është ai që vlen dhe të jep pikë në fund, por në ecurinë e një takimi, edhe një pritje vendimtare merr vlerën e një realizimi.

Në bazë të rasteve më të rrezikshme të ndeshjes me Juven, ka të paktën 3 pritje vendimtare të Strakoshës gjatë ndeshjes, me vlerën e një goli. Në fillim, përballë Dibalës, portieri bën një pritje në dukje të thjeshtë dhe me qetësinë maksimale, por në të vërtetë ajo vlejti për ecurinë e ndeshjes. Një top i cili nga këmbët e argjentinasit u duk se do të pushonte në rrjetë poshtë duarve të portierit.

E dyta është një shpëtim “in extremis” i portës. Bernardeski shpik një rast për Ronaldon, i cili me kokë gjuan duke e bërë në dukje një gol të thjeshtë dhe të sigurt. Mirëpo, e zhbën gjithçka një pritje fantastike e Thomas Strakoshës i cili fare pranë vijës së portës i mohon portugezit golin e dopietës personale.

strakosha

Gol që me gjasë do ta siglonte fitoren e Juventusit, 0-2 dhe humbjen e sigurt të bardhekaltërve. E treta është një pritje, rreziku i së cilës nis nga vetë këmbët e gardianit shqiptar. Një top për Açerbin e gjen të pavëmendshëm mbrojtësin dhe sfera shkon te Dibala në hyrje të zonës, i cili del përballë portierit në pozicion shënimi.

Gjuan, por Strakosha përgjigjet sërish dhe kompleton tripletën e tij në këtë ndeshje, si dhe dopietën personale përballë Dibalasë. Edhe në këtë rast, goli i argjentinasit do të kalonte Juven në avantazh 2-1. Por, Strakosha i tha edhe njëherë “jo” dhe ruan barazimin momental, duke i dhënë mundësinë Lacios të përmbysë takimin dhe të fitojë 3-1.

/PANORAMASPORT.AL/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"