“Trillim i madh, qesha kur lexova akuzat e Albpetrolit”, reagon trajneri i Maliqit: Po tentojnë të hedhin baltë mbi ekipin tonë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 25, 2019 | 18:42

“Trillim i madh, qesha kur lexova akuzat e Albpetrolit”, reagon trajneri i Maliqit: Po tentojnë të hedhin baltë mbi ekipin tonë

Humbja në sekondat e fundit ndaj Maliqit, nuk është pritur aspak mirë nga drejtuesit e Albpetrolit të cilët nuk nguruan të lëshonin një lumë akuzash ndaj skuadrës juglindore. Sipas patosarakëve, gjyqkimi i treshes nga Elbasani, me kryesor Silvio Dyrmishin ka qenë tendencioz dhe vendosi ndeshjen. 

Maliqi

Në lidhje me këto akuza ka reaguar edhe trajneri i ekipit të Maliqit, Egli Malësia, i cili në një prononcim për “Panorama Sport”, i cilëson si stisje, deklaratat e bëra nga drejtuesit e Albpetrolit për të dëmtuar imazhin e maliqarëve.

PRONONCIMI I TRAJNERIT, EGLI MALËSIA- “Më erdhi për të qeshur kur lexova stisjet e pashembullta të drejtuesve të Albpetrolit, të cilët po përpiqen me të gjitha format të na dëmtojnë imazhin duke hedhur baltë mbi ekipin e Maliqit dhe duke shpikur situata absurde.

Mjafton të shikoni videot e postuara në faqen zyrtare të klubit dhe do ta kuptoni, se akuzat e ngritura nuk janë gjë tjetër veç se një trillim i madh nga drejtuesit e Albpetrolit, për të justifikuar sadopak humbjen. Nga pamjet duket qartë që edhe futbollistët miq bien dakord me vendimin e gjyqtarit, duke mos pretestuar, pas prekja e topit me dorë ishte sade. Gjithsesi unë më shumë se sa të merrem me veprimet e ulta të patosarakëve, kam dëshirë të flas për ekipin tim.

Egli55

Kemi 3 vjet që investojmë dhe kërkojmë Kategorinë e Parë, duke qenë një nga klubet me buxhetin më të lartë, por për fatin tonë të keq, jemi ndëshkuar dhe “dhunuar” më se shumti nga faktorë të jashtëm se sa në fushën e lojës. Mendoj se ka ardhur momenti që ne të jemi më shumë se kurrë pretendentë kryesorë për t’u ngjitur në Kategorinë e Parë, duke rivalizuar me Tomorin, të cilin e respektojmë për historinë që ka.

Është luks për ekipet e grupit tonë që të ketë përballje më ekip me histori si Tormori. Ndryshe nga ekipet e tjera që nuk kanë ç’thonë kur munden brenda në shtëpi nga Berati, merren me ndeshjen tonë në Berat. Ku ekipi im ka zhvilluar lojën më të bukur deri më tani me asnjë kontastim të drejtuesve vendas. Përkundrazi, presidenti i Tomorit pas ndeshjes është futur në dhomat e zhveshjes dhe na ka uruar për lojën që zhvilluam.

Si mund të akuzohemi ne që jemi ndihmuar nga gjyqtari në Berat, kur presidenti i klubit kundërshtar vjen na jep dorën në dhomat e zhveshjes, dhe shkarkon trajnerin e skuadrës së tij, për shkak të lojës dhe rezultatit jo bindës. A ka logjikë kjo? Nuk jemi ne ata që prishëm ekipin e Beratit, në ditën e fundit të merkatos. Edhe njëherë e përsëris. Albpetroli ta gjejë problemi brenda vetes dhe mos trillojë situata që nuk ekzistojnë. Përfitoj nga rasti të jap një lajm të madh për sa i përket terrenit sportiv, i cili të jemi realist ka probleme dhe nevoja për ndërhyrje është e domosdoshme.

Egli

Si rrjedhojë e këtij fakti, Bashkia e Maliqit ka miratuar buxhetin prej 250 milionë lekë të vjetra për rikonstruksionin e fushës sportive “Jovan Asko”. Në muajin mars do të nisin punimet dhe në sezonin e ri, do të kemi gati dhe impiantin e ri sportiv, i cili do të jetë me kushte bashkëkohore. Për sa i përket ecurisë, mendoj që kemi bërë një fazë të parë shumë të mirë, duke mos pësuar asnjë humbje.

Gjithsesi kampionati është i gjatë dhe nuk na ngelet gjë tjetër veç se të qëndrojmë me këmbë në tokë duke i marrë ndeshjet një nga një dhe duke vazhduar luftën e fortë sportive me Tomorin, Butrintin dhe Delvinën, të cilët për mendimin tim do të jenë rivalët e Maliqit deri në fundin e kampionatit”, u shpreh Malësia.

ILDI MEROLLI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"