Tri vite shtegtim, Kukësi nuk pyet për fushë neutrale

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 28, 2021 | 13:20

Tri vite shtegtim, Kukësi nuk pyet për fushë neutrale

Diego Longo nuk e cilëson skuadrën e tij mes pretendentëve për titull në Superiore. Kjo, jo vetëm sa u përket cilësisë së skuadrës, por më së shumti prej faktit që Kukësi nuk ka ende një fushë të tijën.

ndreca kukesi

Janë disa klube të Superiores që e vuajnë këtë problematikë, por gjatë këtij sezoni ka qenë shumë më e theksuar te verilindorët, sepse ndryshe nga vitet e shkuara ku të paktën ishin stacionuar në një stadium, siç ishte rasti i “Elbasan Arenës”, këtë sezon ndeshjet si pritës i kanë luajtur në fusha të ndryshme.

Ky fakt ka bërë që ekipi për asnjë moment të mos e shohë veten si të favorizuar nga ndeshjet brenda. Megjithatë, ky makth pritet të marrë fund së shpejti, pasi “Kukës Arena” është thuajse gati dhe verilindorët do të rikthehen më në fund në qytetin e tyre.

VËZHGIMI – “Panorama Sport” u ka bërë një vëzhgim ndeshjeve që Kukësi ka luajtur si pritës gjatë kësaj kohe në Superiore dhe bie në sy fakti që 7 takime i ka luajtur në pesë stadiume të ndryshme. Ai i Elbasanit dhe i Shkodrës kanë qenë më të preferuarit deri më tani, duke luajtur respektivisht nga dy ndeshje.

Në Elbasan, Kukësi luajti dy sfidat e para, atë ndaj Kastriotit, ku fitoi 3-1 dhe ndaj Teutës, ku u mund 2-3. Ndërsa në Shkodër luajti ndaj dy skuadrave të kryeqytetit, Tiranës e Partizanit, dhe në të dyja rastet arriti një fitore në shifrat 2-1.

Kukësi ka përfunduar edhe në Laç, aty ku mundi Egnatian 2-0, ndërsa në Rrogozhinë mundi Vllazninë 2-0.

Verilindorët janë përballur edhe në një ndeshje në “Air Albania”, ku humbën ndaj Laçit në shifrat 1-2. Në total, pesë stadiume të ndryshme si pritës në shtatë ndeshje e bëjnë praktikisht Kukësin si një skuadër që ka shëtitur më shumë se kushdo këtë kampionat, pa llogaritur ndeshjet si udhëtues që janë për të gjitha ekipet njëlloj.

KUKESI

RIKTHIMI – Për rikthimin e Kukësit në qytetin e vet janë tejkaluar shpesh afatet e inaugurimit të stadiumit të ri, por duket se sipas të gjitha gjasave, verilindorët më 15 janar do të presin Dinamon pikërisht në “Kukës Arena”.

Të gjitha parashikimet janë për këtë datë dhe mendohet se tapeti do të jetë plotësisht gati, edhe pse sërish asgjë nuk mund të flitet me siguri. Ndeshjen e fundit në shtëpi verilindorët e kanë në vitin 2018, pikërisht më 23 maj në atë barazim ndaj Flamurtarit me rezultatin 2-2.

Kjo periudhë, që nga ajo kohë dhe deri më 15 janar, përkon saktësisht me 1333 ditë shtegtim nëpër Shqipëri.

PRITES (1)

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"