Tri transferta ferri në 9 ditë, Pep Guardiola: Ky është një privilegj

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 25, 2021 | 10:34

Tri transferta ferri në 9 ditë, Pep Guardiola: Ky është një privilegj

Pep Guardiola i ka cilësuar 9 ditët e ardhshme të Mançester Sitit një privilegj, ndërsa skuadra e tij do të luajë në transfertë kundër Çelsit, PSG-së në Champions dhe pastaj Liverpulit. Kampionët e nisin sot në “Stamford Bridge”, ku tekniku i “Qytetarëve” do të kërkojë të marrë më të mirën ndaj skuadrës që e ka mundur në tri duelet e fundit sezonin e shkuar.

guardiola

Pastaj Siti do t’i drejtohet Parisit për sfidën e javës së dytë të Ligës së Kampioneve përpara se të udhëtojë drejt “Anfield”-it më 3 tetor për sfidën me Liverpulin në Premier Ligë. Dhe përpara këtij kalendari ferri për skuadrën e tij, tekniku tha në konferencë se mezi po i pret këto sfida bashkë me turneun e “Ryder Cup” këtë fundjavë duke ditur se ai është një i apasionuar pas sportit të golfit.

“Është kaq bukur, çfarë privilegji dhe të gjitha këto në javën që luhet edhe ‘Ryder Cup’… A ka më mirë se kaq? Jo”, tha Guardiola me ironi. “Por do t’i marrim ndeshjet një e nga një. Udhëtojmë në Londër dhe pastaj do të përgatitemi për PSG-në”. I ngacmuar nga gazetarët nëse do të ketë kohë për të ndjekur turneun e golfit, ai tha:

“Absolutisht. Kjo është një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit”. Siti humbi tri herë kundër Çelsit në harkun e 6 javëve sezonin e shkuar, me Tuhelin që mori më të mirën prej katalanasit në Kupën FA, Premier Ligë dhe finalen e Champions-it. Pep provoi formacione të ndryshme në të tri ndeshjet dhe shpreson të ketë mësuar prej atyre humbjeve:

“Ne i përgatisim ndeshjet siç kemi bërë gjithnjë. Përpiqemi të lexojmë atë që është kundërshtari dhe çfarë ne kemi bërë në takimet e fundit kundër Çelsit.

Çdo ndeshje është një sfidë e re, të përpiqemi të përmirësohemi. Nuk është një finale, është krejtësisht ndryshe. Finalja ishte një sfidë e ngushtë, ne humbëm dhe Premier Liga kishte përfunduar me ne thuajse kampionë. Do të mësojmë nga këto tri humbje, por është vetëm një ndeshje më shumë në sezonin prej 38 javësh”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"