Tri startet e Egnatias në Superiore, statistikat dhe fakte krahasuese të rrogozhinasve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 15, 2022 | 21:17

Tri startet e Egnatias në Superiore, statistikat dhe fakte krahasuese të rrogozhinasve

Dy fitoret e fundit e kanë përmirësuar ndjeshëm situatën në kampin rrogozhinas. Egnatia me 6 pikët e grumbulluara në 4 javët e para ka barazuar ecurinë e startit në debutimin në elitën e futbollit shqiptar, pikërisht në sezonin 2004- 2005. Shifra, fakte dhe kuriozitete tregojnë rritjen progresive të futbollit në Rrogozhinë. Egnatia është një ekip i investuar dhe me objektiva të qartë.

EGNATIA 1 (1)

Në krahasim me sezonin e shkuar aktualisht Egnatia ka një “marsh” më të lartë. “Panorama Sport”, ju sjell disa statistika dhe fakte krahasuese mbi ecurinë që ka pasur skuadra rrogozhinase në 4 javët e para në tri përfaqësimet e deritanishme në Kategorinë Superiore.

– Vjet në 4 javët e para Egnatia kishte siguruar 5 pikë nga 1 fitore, 2 barazime e 1 humbje. Kuota e 6 pikëve në 4 javë, sa ka aktualisht, për Egnatian për herë të parë është arritur 18 vite më parë kur rrogozhinasit bënë debutimin e tyre në elitën e futbollit shqiptar.

-Pas Xhuljano Skukës, i cili ka 3 gola në 4 javë, në ndjekje të tij, tanimë krahas disa emrave të tjerë, janë edhe dy golashënues të Egnatias, Konkretisht Dzon Delarzhe dhe Ilir Camaj, që kanë shënuar secili nga 2 gola në 360 minutat e para të këtij kampionati.

– 20 është numri i futbollistëve të aktivizuar gjer më tani tek Egnatia, kur dihet se kjo skuadër është ribërë thuajse krejtësisht gjatë merkatos së verës me një organikë të pasur me lojtarë. Portieri Alen Sherri dhe Fernando Mendeiros janë lojtarët e vetëm, që i kanë luajtur të plota 360 minutat e para të kampionatit.

-Pas Kukësit me 13 kartonë, vijnë Kastrioti dhe Egnatia me 12 kartonë, që te rrogozhinasit i kanë marrë 8 futbollistë. Më i rrezikuari momentalisht është Ojediran Hamzat me 3 të verdhë dhe nga dy kartonë kanë Abdurrahman Fangaj dhe Emiljano Musta. Nga një të verdhë kanë 5 lojtarët, Xhekson Kenio, Erbin Zejnullahi, Sadiq Atanda, Dzon Delarzhe dhe Aleksandër Kacbufi.

– Dy fitoret më të thella në historinë e saj në Superiore, që janë me të njëjtin rezultat 3-0, Egnatia i ka ndaj së njëjtës skuadër, Vllaznisë së Shkodrës. Të dyja janë arritur në fushën e saj në Rrogozhinë, e para më 16 prill 2022 dhe e dyta më 10 shtator 2022.

-Nga grupi i 20 lojtarëve që kanë luajtur në 4 javët e para, Egnatia ka një moshë mesatare 24.6 vjeç. Më “të moshuarit” janë Renato Malota 33 vjeç, Dzon Delarzhe 32 vjeç dhe Emiljano Musta 30 vjeç. Ndërsa më i riu në skuadër është Ojidean Hamzat, i cili ende nuk ka mbushur 19 vjeç, i datëlindjes 14.11.2003.

FATMIR EFICA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"