Tri sfida për ringritjen, ja planet e Elbasanit që mund të sjellin shpëtimin e klubit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 11, 2020 | 23:50

Tri sfida për ringritjen, ja planet e Elbasanit që mund të sjellin shpëtimin e klubit

Një dritë jeshile ësh të dhënë për rin isjen e futbollit në Shqipëri, që ndoshta nuk do të jetë i njëjtë si më parë. Dëmin që i ka shkaktuar “COVID-19” sportit më të dashur në botë, nuk e kanë bërë ndoshta as luftërat. Megjithatë, ai do të vazhdojë ashtu si vetë jeta.

Labinoti-Elbasani-3

Efekti i pandemisë ka qenë aq i madh në mbarë globin, sa duket sikur pas “zhdukjes” së saj do të lindë një epokë e re. Në Elbasan shpresojnë se epoka pas Koronavirusit do të jetë më e mirë. Gjithsesi, sfidat e klubit verdheblu janë të mëdha, sepse shumë gjëra i ka lënë pa zgjidhur dhe lënë pezull para pandemisë. Tri janë sfidat kryesore të skuadrës elbasanase, ajo afatshkurtër, afatmesme dhe afatgjatë.

SFIDA E PARË

Sfida e parë është mbijetesa në Kategorinë e Parë. Derisa nuk pret koha, duhet të vënë fillimisht në zbatim planin afatshkurtër. Me hir apo me pahir, në tavolinë apo në fushë, Elbasani e ka të nevojshme të arrijë mbijetesën për të paktën edhe këtë sezon, sepse një tjetër rrëzim në të Dytën mund të rezultonte fatal, jo vetëm për klubin dhe qytetin, por për zhdukjen e një embleme. Ringritja do të bëhet gjithnjë e më e vështirë nëse për fat të keq rrëzohen sërish.

SFIDA E DYTË

Sfida e dytë, ajo afatmesme, por që duket edhe më kryesorja, pasi varen shumë fatet e klubit, janë pikërisht aksionet. Prej afro tri vitesh duket sikur situata ka “ngrirë” dhe ato mbeten në “ajër”, me anglezët që nuk duken gjëkundi, por që kanë bërë lëmsh klubin. Mungesa e një vendimi përfundimtar gjykate se cilët palë do të kenë aksionet, e bën klubin e futbollit të jetë “jetim”.

SFIDA E TRETË

Sfida e tretë e post-Koronavirusit është ajo afatgjata. Edhe pse nuk mund të arrihet shumë shpejt, një mision më vete mbetet rikthimi i skuadrës të paktën në elitë. Aktualisht, është gati e pamundur, pasi është e qartë që nuk mund të realizohet pa u përmbushur fillimisht dy sfidat e para. E megjithatë, ky është një motiv më shumë që klubi të vazhdojë përpara dhe të rikthehet në nivelet e dikurshme. Në momentin aktual të tria këto sfida duken të vështira për t’u arritur, por klubet e mëdha dhe të traditës arrijnë të gjejnë zgjidhje edhe atëherë kur shpresat janë të humbura. Nëse do të jetë ky rasti i Elbasanit apo jo, mbetet për t’u parë.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"