Tri rikthime tek krutanët, Mema ka dilema për sulmin. Ja formacionet e mundshme të sfidës Laçi-Kastrioti
Kastrioti u ka dhënë fund përgatitjeve për transfertën e sotme ndaj Laçit, duke nisur nga ora 13:00 në stadiumin e kurbinasve. Pavarësisht se ndërthurja e kampionatit me Kupën ka krijuar një ngjeshje të ndeshjeve, duket se krutanët po e përballojnë si duhet dhe gjendja fizike e lojtarëve është optimale.
Ndërkohë, barazimi ndaj Partizanit në ndeshjen e shkuar e ka përmirësuar shumë atmosferën dhe ka shtuar vetëbesimin se skuadra mund të kthehet te rezultatet e njëpasnjëshme pozitive. Ditën e djeshme lojtarët kanë zhvilluar seancën e fundit stërvitore para sfidës me kurbinasit, teksa lajmi i mirë është se Kastrioti nuk ka asnjë dëmtim për këtë ndeshje dhe trajneri Ardian Mema ka liri të plotë zgjedhjeje. Madje, ka dy rikthime të rëndësishme.
Adolf Selmani dhe Prenkoçeviç e shlyen ndaj Partizanit pezullimin për plotësimin e katër kartonëve të verdhë dhe janë gati për këtë sfidë. Lajme të mira ka edhe nga Armando Rami, i cili e ka kaluar dëmtimin dhe sipas të gjitha gjasave pritet ta nisë si titullar këtë ndeshje. Rami është stërvitur normalisht në dy seancat e fundit. Trajneri Mema u ka kërkuar të tijve që ashtu si ndaj Partizanit, të ruhet fryma e grupit dhe të vlerësohet çdo minutë në maksimum.
Tiranasi tashmë e ka hartuar formacionin dhe pritet që nga minuta e parë ta nisë Sali, teksa në mbrojtje priten Selmani, Rami, Prenkoçeviç e Stojanoviç. Mesfusha pritet të jetë e njëjta si ndaj Partizanit, teksa në sulm ka një balotazh mes Çelës dhe Grecës, që do të luajnë krah Zogajt dhe Santiago Selmanit. E sotmja pritet të jetë një përballje mjaft e fortë, pasi luajnë dy skuadra mjaft agresive dhe luftarake në fushë.
SHKËLQIM HASANI-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"