Tri oferta në tavolinë/ Jasir Asani vendos të ardhmen brenda kësaj jave

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 3, 2021 | 20:48

Tri oferta në tavolinë/ Jasir Asani vendos të ardhmen brenda kësaj jave

Partizani me datë 15 qershor nis grum bullimin në Ohër për t’u përgatitur për pjesëmarrjen në Kupat e Europës. Të kuqtë e Ilir Dajës kanë mbetur shumë pak, pasi kontigjenti i “demave” është shkrirë thuajse i gjithi, për shkak të kontratave që kanë mbaruar.

jasir asani 1

Zyrtarisht, nën kontratë me klubin janë vetëm Loti Celina, Geri Selita, Valentino Murataj, Kristi Kote, Ferhan Hasani, Tedi Cara dhe Stenio Zhunior. Duke parë situatën, drejtuesit e të kuqve kanë filluar të mendojnë fillimisht për rinovimet me lojtarët e mbetur në klub, e më pas kanë filluar të mendojnë edhe për afrimet. Sa u takon rinovimeve, e gjithë vëmendja është te Jasir Asani.

ASANI – Rinovimi i 26- vjeçarit është kryefjalë në futbollin shqiptar ditët e fundit dhe të gjithë po presin të mësojnë se cila do të jetë e ardhmja e mëngjarashit të kuq. Situata aktuale, është e tillë: Tri oferta në tavolinë dhe pritje e nisjes së bisedimeve me Partizanin. “Asi” i kuq ka kërkuar të jetë lojtari më i paguar në Superiore në rast se Partizani do të dojë ta mbajë në ekip, ndërsa ekipeve të tjera që janë interesuar për të dhe kanë pasur kontakte, u ka kërkuar të presin deri ditën e shtunë. Pra, Asani do të vendosë për të ardhmen e tij brenda kësaj jave.

Hungari, Rusi dhe Turqi janë kampionatet ku militojnë ekipet që duan Asanin. Madje, skuadra hungareze i ka bërë dhe një ofertë të mirë financiare, por pa biseduar fillimisht me Partizanin, Asani nuk do të vendosë. Afati që drejtuesit e “demave” kanë, është deri të shtunën…

RINOVIMET – Edhe pse situata duket e vështirë te Partizani sa u takon futbollistëve pa kontratë, optimizmi është i lartë për të rinovuar me dy mbrojtësit, Esin Hakaj dhe Egzon Belica.

Të dy këta futbollistë kanë qenë titullarë të padiskutueshëm nën urdhrat e Dajës dhe pritet të firmosin me Partizanin sapo të rikthehen nga pushimet për të vazhduar bashkëpunimin me klubin e kuq. Ndërsa, sa u takon dy mbrojtësve të tjerë, Bitri është pranë akordit me Dinamo Brest, ndërsa Idrizaj nuk bën pjesë në planet e Dajës dhe vështirë se mund të rinovojë.

VERONIK ISTREFAJ – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"