Tri ndeshje në 7 ditë/ Shënime pa fund, trajneri i Apolonisë shton vigjilencën para ngjeshjes

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 17, 2021 | 14:07

Tri ndeshje në 7 ditë/ Shënime pa fund, trajneri i Apolonisë shton vigjilencën para ngjeshjes

Dëshirë dhe angazhim në stërvitje, ishte kjo panorama e Apolonisë dje. Fierakët kanë vijuar seancën anti-Shkumbin në aneksin e stadiumit “Loni Papuçiu” dhe dukshëm është parë angazhim maksimal nga lojtarët. Trajneri Juri Kanarsa ka qenë vigjilent në çdo episod të stërvitjes, aq sa shihej të mbante shënime gjatë gjithë kohës.

Juriy KANARSA

Humbja ndaj Erzenit i ka bashkuar më shumë lojtarët me njëritjetrin. Me peqinasit do të luajnë sërish në shtëpi dhe ky shihet si bonus. E megjithatë, i druhen disi ngjeshjes. Kohë për të pushtuar nuk ka, pasi më 22 shtator do të përballen me Flamurtarin për llogari të turit të parë të Kupës së Shqipërisë dhe tri ditë më pas, do të marrin rrugën për të luajtur me Maliqin. Megjithatë, grupi i lojtarëve fierakë është i mbushur me kualitete.

Apolonia-Erzeni 0-1

Një ndihmë e madhe janë edhe lojtarë si Emiljano Hidri, Sali Kumani, Altin Kananaj, Enes Papaj dhe Mustafa Xhixhiua, të afruar këtë merkato vere. Lojtarët i janë bashkuar së fundmi Apolonisë dhe do të kenë minutat e tyre në ndeshjet e ardhshme. Jo pak, por tri ndeshje brenda shtatë ditësh do të luajnë fierakët.

Tekniku italian është i bindur që Apolonia do të kërkojë vetëm pikët e plota në fundjavë përballë Shkumbinit. Në qytetin e Fierit kjo ndeshje cilësohet si “kthesa e madhe” që do të bëjë ekipi në kampionat pasi gara është e gjatë dhe synim i vetëm është ngjitja në “Abissnet Superiore”.

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"