Tri javë pa pësuar gol, Egnatia e Edlir Tetovës gjen… ekuilibrat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 4, 2022 | 12:02

Tri javë pa pësuar gol, Egnatia e Edlir Tetovës gjen… ekuilibrat

Organika e Egnatias, përveçse ka plot emra që vërtetë posedojnë përvojë të madhe, por janë të aftë dhe të bëjnë diferencën kur gëzojnë formën optimale.

egnatia bambam

Në dy ndeshjet e fundit Egnatia ka marrë dy barazime pa gola, 0-0, një në transfertë ndaj Bylisit ku shpërdoroi shumë raste dhe një tjetër në shtëpi ku kundërshtarët luftuan fort për topin e parë dhe ia ngushtuan së tepërmi ekipit rrogozhinas shanset për të fituar.

SULMI

Pas “breshërisë” së golave me Vllazninë në javën e 4-t kur fituan pastër 3-0 në fushën e tyre, çuditërisht sulmi i Egnatias ka kaluar në dy javët e fundit në “tkurrje”.

Ka prodhuar lojë, sidomos në Ballsh, por finalizimi nuk ka qenë aspak në nivelin e pretendimeve.

Mundet që në takimin me Kastriotin sulmuesve u ka munguar klasi i pasimeve të Santos Xheksonit, që edhe në rolin e kapitenit, po edhe në rolin e “regjisorit” spikat për manovrën ofensive.

Fakt është që rrogozhinasit kanë lënë jo pak, por 4 pikë. Nëse në start, ishte “ferri” i kalendarit, që në njëfarë mënyrë pati ndikimet e veta, me skuadrat e tjera nuk ka përse të ketë asnjë faktor pengues për t’u matur si të barabartë, mes të barabartësh. Sulmi, veç dyshes Delarzh–Camaj, ka si alternativa edhe Klaudivain, një pykë “shpërthyese”, pa përmendur ndonjë lojtar me tipare të mirëfillta sulmuese, e pse jo dhe ata nga “vija e dytë” që normalisht duhet të jenë më të vëmendshëm për topat e kthyer.

PORTA

Një portier me eksperiencë si Alen Sherri ka dhënë më shumë besim për repartin e prapavijës.

Kjo është qartësisht e dukshme në tri takimet e fundit, ku porta tek Egnatia nuk është prekur me asnjë gol të pësuar. Merita pa diskutim u takon mbrojtësve të fortë që ka tashmë ekipi duke filluar nga Fangaj, Atanda, Malota, Kacbufi apo Musta që kanë ndërtuar ura harmonie të plota me Alen Sherrin.

Porta sigurisht ka ofruar qetësi edhe siguri. Bashkë me Alen Sherrin, edhe portieri tjetër Bruno Puja që u aktivizua në Kupë, apo dhe nëpër ndeshje miqësore, kanë të njëjtin motiv e frymëzim nëpër ndeshje.

Të jenë sa më të përqendruar e të sigurt dhe të mbyllin çdo gabim të mundshëm që servir loja apo presioni nga sulmuesit kundërshtarë. Si Sherri ashtu edhe Puja përbëjnë tanimë një dyshe solide për katërkëndorin e portës rrogozhinase, e cila vërtetë e ka të stabilizuar tashmë këtë repart.

FATMIR EFICA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"